Papandreu: Ose të na ndihmojë BE-ja, ose do kërkojmë FMN-në
Kryeministri grek, Papandreu, dje deklaroi se Greqia mund t’i drejtohej për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar, nëse do të kishte nevojë për para, për të dalë nga situata, dhe u shpreh kundër thirrjes së gjermanëve për të përjashtuar nga Eurozona vendet që shkelin rregullat fiskale. “Në fund të fundit është rasti që vendet e BE-së të vendosin ose të bëjnë rolin e FMN-së në rastin e problemit tonë, ose ndryshe Greqia ndoshta në fund do të zgjedhë pikërisht FMN-në për të dalë nga situata”, ka deklaruar Papandreu. Pas këtyre deklaratave të Papandreut, euroja pësoi një rënie të vogël, sepse të gjithë futjen e FMN-së në këtë çështje e konsiderojnë si një dështim të euros. “Një vend mund të dënohet për shkak të një sjelljeje të keqe dhe për këtë ka protokolle të caktuara, por nga ana tjetër vendet që kanë probleme, duhet që të mbështeten”, ka vazhduar Papandreu komentin e tij ndaj deklaratave të Kancelares gjermane, Merkel. Të mërkurën ajo tha se në dritën e krizës fiskale greke, vendet që thyejnë rregullat fiskale duhet që të nxirren jashtë Eurozonës.
#