Integrimi, Presidenca suedeze e BE-së: Opozita të dialogojë në Kuvend
Vetëm një ditë pas prezantimit të raportit të ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, në Këshillin e Përgjithshëm, reagoi ambasadorja e Përhershme e Suedisë në OSBE. Në një deklaratë zyrtare, ambasadorja Veronika Bard-Bringeus vlerëson zhvillimet në Shqipëri dhe shprehet se partitë politike duhet të dialogojnë me njëra-tjetrën në Kuvend, duke e cilësuar këtë si një element kyç për integrimin në BE
Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian vlerëson zhvillimet në Shqipëri dhe bën thirrje për dialog politik në Kuvend. Në një deklaratë zyrtare të bërë nga ambasadorja dhe Përfaqësuesja e Përhershme e Suedisë në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Veronika Bard-Bringeus, thuhet se Bashkimi Evropian është i kënaqur nga zhvillimet inkurajuese të ndodhura në Shqipëri. “Bashkimi Evropian është i kënaqur të vërë në dukje se zhvillimet inkurajuese janë ndërmarrë në Shqipëri që nga fjalimi i fundit i ambasadorit Bosch në Këshillin e Përhershëm një vit më parë. Gjatë periudhës raportuese, qeveria e Shqipërisë ka vazhduar të ushtrojë përpjekjet për të siguruar përputhjen me angazhimet e OSBE-së dhe të përparojë pa probleme, në tërësi, për zbatimin e stabilizimit dhe asociimit me BE-në, që ka hyrë në fuqi këtë vit”, - thuhet në këtë deklaratë. Duke qëndruar tek zhvillimet e fundit, ambasadorja e Suedisë në OSBE shprehet më tej se partitë politike duhet të dialogojnë dhe sipas saj, kjo duhet të bëhet në Kuvend. “BE gjithashtu i inkurajon të gjitha partitë politike në Shqipëri, për të ndjekur një dialog konstruktiv politik. Në veçanti, duke mbajtur një dialog të përhershëm në Parlament, që është një element kyç i demokracisë. Për përparimin ambicioz në rrugën drejt anëtarësimit në BE, të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku dhe të ngrihen mbi politikat e ngushta të partive”, - thotë deklarata. Kjo deklaratë erdhi pas prezantimit të raportit njëvjeçar për Shqipërinë në Këshillin e Përgjithshëm nga ambasadori Robert Bosch. Në deklaratë komentohen edhe zgjedhjet e fundit parlamentare të 28 qershorit. Sipas presidencës suedeze, zgjedhjet arritën pjesën më të madhe të standardeve të kërkuara nga OSBE-ja, ndërsa thekson se për vërejtjet e evidentuara, duhet që të gjitha palët e interesuara, si qeveria dhe partitë politike, t’i realizojnë ato për zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2011. Duke qëndruar tek sistemi i drejtësisë, deklarata thotë se duhet një vullnet politik për realizimin e një strategjie për të siguruar pavarësinë. “Vullneti i fortë politik është me rëndësi të veçantë në lidhje me zhvillimin dhe zbatimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për të siguruar pavarësinë, transparencën dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Një qasje më sistematike është gjithashtu i nevojshëm në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore”, - thuhet më tej në deklaratën e ambasadores së Suedisë në OSBE, Veronika Bard-Bringeus.