E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi-Mustafaj: Shqipëria, rol moderues në rajonin e Ballkanit



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje në takim me drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafaj dhe këshilltarin e Lartë, Dejvid Skoton. Gjatë këtij takimi palët kanë vlerësuar lart rolin moderues që Shqipëria ka luajtur në rajonin e Ballkanit, veçanërisht përsa i përket pavarësisë së Kosovës. Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit dhe partnerit strategjik më të rëndësishëm të vendit tonë. Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmesën e pandërprerë të diasporës shqiptare dhe çmoi bashkëpunimin e frytshëm me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Kreu i shtetit shqiptar bëri një panoramë të zhvillimeve në vend dhe duke u ndalur në situatën aktuale politike, vuri në dukje nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributit të të gjitha forcave politike në vazhdimin e reformave jetike për vendin, sidomos të reformës në Drejtësi apo zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë të çështjes së pronave. Presidenti Topi theksoi se për të përmbushur standardet integruese dhe realizimin e aspiratës së mbarë popullit për t’u bërë pjesë e familjes europiane, është shumë e rëndësishme qëndrueshmëria e institucioneve dhe konsolidimi i demokracisë shqiptare. Nga ana e tyre, drejtori Ekzekutiv, Mustafaj dhe këshilltari i Lartë, Skoton, pasi falënderuan për pritjen, diskutuan për situatën në vendin tonë duke e informuar kreun e shtetit rreth punës së tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vizitave të ardhshme në Kosovë dhe Maqedoni. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për situatën në rajon, duke ndarë mendimin vlerësues për rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në terren në shërbim të paqes, qëndrueshmërisë dhe begatisë rajonale.

7 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›