E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi, letër Topallit: “Ndryshimi i Rregullores synon kontroll politik ndaj deputetëve”



Eljona Ballhysa
Nëpërmjet një letre që i ka dërguar mbrëmë kryetares së Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, e akuzon Topallin për shkelje të Rregullores së Kuvendit dhe kundërshton propozimet e PD-së për votimin e hapur të dekreteve të Presidentit. Ruçi shprehet se Topalli ka shkelur nenin 13 të Rregullores së Kuvendit duke ngritur Këshillin për Rregulloren pa marrë më parë pëlqimin e Grupit Parlamentar të PS-së për deputetët me të cilët do të përfaqësohet kjo parti. Po kështu, sipas Ruçit, nuk është zbatuar dispozita e Rregullores, e cila parashikon që opozitës i takojnë 5 deputetë në këtë këshill, ndërkohë që Topalli ka përfshirë si përfaqësues të opozitës deputetin e PDU-së, Shpëtim Idrizi. Po kështu, Ruçi ka kundërshtuar draftin e propozuar nga një grup deputetësh të PD-së për votimin e hapur të dekreteve të Presidentit që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Sipas Ruçit, kjo është një përpjekje për të kontrolluar politikisht votën e deputetëve, si dhe për të ushtruar presion ndaj tyre në mënyrë që të votojnë sipas urdhrit politik.
Shkeljet
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë në lidhje me veprimet Tuaja të fundit në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe si përfaqësuese e maxhorancës politike që Ju përfaqësoni, për shkak se në mënyrë flagrante po shkelni çdo rregull bazë të funksionimit të jetës demokratike në Kuvend. Këtu i referohemi tentativës për të amenduar Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë në një mënyrë të beftë, antiligjore dhe kundër konsensusit politik që nevojitet për këtë akt”, - shkruan Ruçi, i cili është ndalur duke sqaruar nenet që ka shkelur kryetarja Topalli. “Në kundërshtim të plotë me nenin 13 të Rregullores, është ngritur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pa pëlqimin apo pa marrë më parë propozimet nga Grupi Parlamentar i PS-së në lidhje më anëtarët e këtij këshilli. Emërimi nga kryetarja e Kuvendit e anëtarëve të opozitës pa i pyetur më parë ata vetë, grupin politik të cilit i përkasin dhe, mbi të gjitha, në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë lloj dijenie, dhunon parimet dhe frymën e Rregullores së Kuvendit. Në të njëjtën dispozitë përcaktohet qartë dhe prerë që opozitës parlamentare i takojnë 5 anëtarë, pra një numër i barabartë me shumicën, ndërkohë në këtë këshill janë emëruar vetëm 4 anëtarë nga opozita. Emërimi prej jush i z. Shpëtim Idrizi si anëtar i pestë i opozitës në këtë këshill, kur dihet botërisht dhe formalisht që z.Idrizi është anëtar i një grupimi tjetër politik, pjesë e maxhorancës qeverisëse, është një tjetër provokim i hapur nga ana juaj dhe një tjetër orvatje e dështuar për emërimin e opozitës fiktive”, - ka shkruar Ruçi. Sipas kreut të deputetëve socialistë, Topalli ka shkelur edhe nenin 117 të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit propozimi për ndryshimin e Rregullores duhet më parë të përfshihet në kalendarin e punimeve të Kuvendit. “Neni 117 i Rregullores parashikon se çdo propozim për ndryshim në të ndjek rrugën që ndjekin projektligjet dhe, si rrjedhim, duhet t’u nënshtrohet kërkesave të neneve 26, 27,28, 29 dhe nuk mund të përfshihet për diskutim pa u futur më parë në kalendarin e punimeve, i cili duhet të miratohet në seancë. Kalendari, në fuqi për periudhën 24 maj - 10 qershor, nuk e parashikon shqyrtimin e këtij akti dhe, si rrjedhim, ky propozim nuk mund të shqyrtohet në asnjë rrethanë. Shkeljet flagrante të procedurës si në formimin e Këshillit, ashtu dhe në futjen e propozimit për ndryshimin e Rregullores, me nxitim të pajustifikuar për rëndësinë që paraqet ky akt, tregojnë qartë synimet e mbrapshta që ka maxhoranca në lidhje me një nga funksionet më të rëndësishme që ka Kuvendi, dhënien e pëlqimit për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë”, - ka shkruar Ruçi në letrën dërguar Topallit.
Kundërshtimi
Më tej, në letrën e tij, Ruçi, në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, kundërshton propozimet e deputetëve demokratë. Sipas tij, votimi i hapur i dekreteve të Presidentit synon kontrollin politik të deputetëve dhe ndikimin në përzgjedhjen e emrave të këtyre dy gjykatave të rëndësishme. “Propozimi në fjalë (sidomos fshirja e pikës 2 të nenit 58) i shpjeguar edhe në relacionin shoqërues, synon të eliminojë përfundimisht votimin e fshehtë në lidhje me dhënien e pëlqimit nga Kuvendi për këto funksione kushtetuese. Kjo përbën një devijim thelbësor të parimeve të gjithëpranuara, por edhe të sanksionuara në këtë rregullore (neni 60), sipas së cilës, votimi për personat është gjithmonë i fshehtë. Dhunimi i këtij parimi synon ushtrimin e presionit ndaj deputetëve për të imponuar një qëndrim politik në lidhje me emërimet e mundshme në organet kushtetuese. Nuk është rastësi që ky propozim vjen në kohën ku Presidenti i Republikës ka sjellë disa dekrete për miratim dhe të tjera presin të vijnë. Në realitet ju kërkoni të përsëritni të njëjtin skenar si me rrëzimin e kandidaturës për Gjykatën Kushtetuese, jo më në bazë të kritereve profesionale e ligjore, por në bazë të urdhërimit politik të frymëzuar nga parime dhe ide që Gjykata Kushtetuese dhe mendimi i përparuar europian i konsideron të papranueshme për kohën dhe stadin e zhvillimit të Shqipërisë. Duke pasur frikë në moskontrollin politik të votave të deputetëve tuaj në kohën që opozita është në Kuvend, ju sillni propozime të tilla thellësisht antidemokratike që nuk ndihmojnë, por rrënojnë shtetin e së drejtës”, - ka shkruar Ruçi, i cili kërkon që amendimet e Rregullores t’i nënshtrohen më parë një debati më të gjerë profesional, përfshirë edhe asistencën e partnerëve ndërkombëtarë. “Çdo këmbëngulje në iniciativën Tuaj, duke neglizhuar haptazi kërkesat e Rregullores dhe amenduar me urgjencë dhe në mënyrë të njëanshme këtë akt të rëndësishëm, është një minim që i bëhet klimës së nevojshme për një parlament demokratik, aq më tepër që në këtë moment po bëhen përpjekje edhe me një angazhim serioz të partnerëve tanë ndërkombëtarë për daljen nga kriza politike që ka mbërthyer vendin prej 10 muajsh. Veprime të kësaj natyre, që shkelin Kushtetutën dhe ligjet e vendit, janë përditë e më shumë hapa në drejtim të kundërt me integrimin e vendit duke thelluar krizën e demokracisë, drejtësisë dhe ekonomisë”, - përfundon letra që Ruçi i ka dërguar Topallit.

Sqarimi i Kuvendit
Zyra e shtypit pranë Kuvendit, në një njoftim për mediat ka sqaruar se propozimi i deputetëve të PD-së është bërë më datë 28 maj 2010 dhe më datë 1 qershor është zhvilluar mbledhja e parë e Këshillit. “Më datë 1 qershor 2010 u bë mbledhja e parë e Këshillit, ku anëtarët e tij filluan shqyrtimin e propozimit. Për shkak se disa anëtarë nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e parë, u caktua një mbledhje tjetër e këtij
këshilli. Sot, më datë 2 qershor 2010, u bë mbledhja e dytë e Këshillit të Rregullores,
ku u vazhdua me diskutimin mbi propozimin e paraqitur nga grupi nismëtar. Seanca dëgjimore u vlerësua si një arritje e Kuvendit. Këshilli diskutoi mbi përmirësimin e mëtejshëm të këtij instrumenti parlamentar, me qëllim rritjen e mëtejshme të transparencës në shqyrtimin e kandidaturave. Këshilli ra dakord që diskutimi të vazhdojë më datë 3 qershor 2010”, - shkruhet në njoftimin e Kuvendit.

Gjiknuri: “Jemi njoftuar me SMS për mbledhjen e Këshillit”

Deputeti i PS-së Damian Gjiknuri bëri të ditur dje se është njoftuar me mesazh telefonik një natë më parë për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren. Sipas tij, përbërja e Këshillit është e paligjshme, pasi nuk është konsensuale dhe se anëtarët e përzgjedhur nuk janë konsultuar me grupin parlamentar. Më pas ai shtoi se deputeti Shpëtim Idrizi nuk përfaqëson opozitën. Përsa i përket draftit të paraqitur, Gjiknuri shtoi se propozimi është bërë në mënyrë të fshehtë dhe nuk është futur në kalendar.

3 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›