E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallatet e pahipotekuara, ndërtuesit zbardhin draftligjin

SHKRUAN: Sabina Veizaj 05-08-2011 14:03

Kreu i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve, Maksim Muci, dhe zv.kryetari i kësaj shoqate, Avenir Kika, zbardhin për gazetën “MAPO” detajet e draft-ligjit për të zgjidhur ngërçin e tregut të ndërtimit. Sipas tyre, të ndodhur përballë një situate emergjente, që është sektori i ndërtimit në vend për shkak të mosligjërimit të pallateve të ndërtuara është kërkuar zgjidhje nga Ministria e Financave, pasi është garantuar mbështetja nga Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Financat kanë kërkuar një draftligj për të zgjidhur këtë problematikë nga ana e ndërtuesve. Draftligji është gati dhe aktualisht ndodhet në hipotekë, ku po konsultohet nga juristët e këtij institucioni.

Problemi

Maksim Muci sqaron për gazetën “MAPO” se problemi nuk qëndron tek draftligji. “Ai tashmë është gati. Problemi është që duhet të ndërhyhet në ligjin themelor dhe aktet nënligjore, për të bërë të mundur zgjidhjen e ngërçit përmes kësaj pakete ligjore, që ne kemi hartuar me specialistët tanë që njohin problematikën. Çështja nuk është te pallatet që nuk kanë pasur asnjë lloj lejeje dhe kanë hyrë direkt në proces legalizimi. Problemi është për 400 pallatet në Tiranë, të cilët e kanë kaluar të gjithë zinxhirin për të qenë të ligjëruar, por janë të pahipotekuar. Është pikërisht kjo hallkë e fundit e zinxhirit, që dikton ndërhyrjen në ligj”, - u shpreh Muci për “MAPO”-n. Dhe sipas tij, nëqoftëse Qeveria vendos të ndërhyjë në ligj, odisea e hipotekimit përfundon brenda vitit 2011. Janë 400 pallate në Tiranë, të cilët kanë kaluar gjithë zinxhirin e institucioneve për t’u ligjëruar, duke u pajisur me të gjitha lejet, por janë të pahipotekuar. Sipas Mucit, nga hipotekimi i tyre, arkës së shtetit i hyjnë 60-70 mln euro. Por është vetë Ministria e Financave që ka krijuar ngërç në këtë proces, pasi pallatet hipotekohen e pastaj paguhen detyrimet. Në këtë mënyrë, sipas zv.kryetarit të ndërtuesve, Kikës, prandaj arkës së shtetit i mungojnë të ardhurat nga detyrimet e ndërtuesve. Kika shprehet se beson që Ministria e Financave do ta pranojë draftligjin e ndërtuesve, pas konsultimit me juristët, pasi në këtë mënyrë përfitojnë të gjitha palët, mbi të gjitha, qytetarët bëhen pronarë të ligjshëm të apartamentit që kanë blerë, arka e shtetit mbushet dhe tregu i ndërtimit formalizohet më tej. Por përveç pengesës së Ministrisë së Financave, që kërkon vërtetimin e pagesës së tatim taksave nga ndërtuesit, një ngërç të madh për mosregjistrimin e pallateve të reja ka krijuar dhe mosdhënia e lejes së shfrytëzimit nga ana e bashkisë. Kjo leje nuk jepej për disa arsye dhe, sipas administratës së vjetër, justifikohej me tejkalimin e kateve të ndërtimit, apo përmasave të projektit nga ana e ndërtuesve. Basha premtoi gjatë fushatës se do e zgjidhte këtë problem duke shqyrtuar rast pas rasti ndërtimet dhe atje ku nuk kishte probleme me pronësinë, apo me zbatimin e lejes së ndërtimit, leja e shfrytëzimit do të jepej menjëherë. Po kështu për rastet e tjera më problematikë, ai tha se do të jepej leje shfrytëzimi e kushtëzuar apo dhe më tej, do të negociohej me qeverinë për një ligj të ri. Në fakt, krerët e ndërtuesve shprehen për gazetën “MAPO” se kanë marrë garancinë e plotë nga kreu i ri i bashkisë, Lulëzim Basha, për të hipotekuar brenda 2011-ës të gjithë pallatet në kryeqytet.

Çfarë zgjidh draftligji

Draftligji i përfunduar parashikon të zgjidhë gjendjen aktuale në tregun e ndërtimit, duke pajisur me tapi nga hipoteka 400 pallatet me leje dhe të gjithë pallatet informale që kanë hyrë në proces legalizimi. Janë një numër i konsiderueshëm dosjesh të objekteve me shtesa katesh, të miratuara nga Agjencia e Legalizimit, që kanë mbetur të pahipotekuara, pikërisht për shkak të barrës fiskale që kanë firmat ndërtuese. Pasi edhe ligji i faljes fiskale nuk mund të veprojë automatikisht pa kaluar burokracinë e vërtetimit nga Zyra e Pasurive të Paluajtshme, që aktualisht luan rolin e administratës tatimore, pra të taksambledhësit. Prandaj kërkohet që ligji për amnistinë fiskale, të veprojë automatikisht në këtë drejtim. Por mbi të gjitha draftligji përpiqet për të siguruar një situatë të sigurt për të ardhmen në tregun e ndërtimit, duke eliminuar burokracitë. Në këtë mënyrë, nëpërmjet kësaj pakete ligjore synohet që të eliminohen burokracitë e sotme, për të përfituar hipotekën. Pra paketa ligjore parashikon që në të ardhmen, në momentin që ndërtuesi merr lejen e shfrytëzimit për të ndërtuar të pajiset në të njëjtën kohë edhe me tapitë nga hipoteka.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›