E Diel, 1 Nëntor 2026

Wolfarth: T’i hiqet vijë së shkuarës. Arvizu: E shkuara të mos përdoret për dështimet

Dy ambasadorët bëjnë thirrje për bashkëpunim. Wolfarth kërkon fillimin nga puna të reformës zgjedhore, ndërsa Arvizu kërkon që partitë të dalin mbi ambiciet personale

TIRANË Ambasadori i ShBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhe ai i OSBE-së, Eugen Ëolfarth, kanë qenë në një linjë qëndrimi në mesazhet e tyre drejtuar politikës shqiptare. Edhe pse në aktivitete të ndryshme, Ëolfarth ka deklaruar se ka ardhur koha që t’i hiqet vijë së shkuarës, ndërsa ai amerikan Arvizu ka theksuar se e shkuara nuk mund të përdoret më si një justifikim për dështimet e Shqipërisë në zbatimin e proceseve demokratike dhe në ecjen e saj përpara. Gjatë konferencës “Demokratizimi i mëtejshëm i rajonit, si kriter për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, Arvizu është shprehur se procesi i demokratizimit për Shqipërinë nuk është i lehtë. "Demokratizmi nuk është thjesht një kriter për integrimin rajonal. Është procesi që vendos kornizën që populli shqiptar të punojë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare. Demokratizimi nuk është proces i lehtë, veçanërisht për një vend që ka qenë në një sistem autokratik për disa breza, sepse kërkon durim, bashkëpunim dhe gatishmëri për të vendosur të ardhmen e përbashkët të vendit përpara ambicieve personale", - tha Arvizu. Ai theksoi se e shkuara mund të ndikojë në disa prej sfidave që Shqipërisë i duhet të kapërcejë për të paraqitur një kulturë më demokratike, por e shkuara nuk mund të përdoret më si një justifikim për dështimet e Shqipërisë në zbatimin e proceseve demokratike dhe në ecjen e saj përpara. Arvizu shtoi se ShBA-të vazhdojnë të nxisin Shqipërinë për bashkëpunim dhe dialog ndërpartiak për të zbatuar reformat e nevojshme demokratike. Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Eugen Ëolfarth, përmes një deklarate ka nxitur të gjitha palët që të bëjnë progres për reformën zgjedhore.“Vërej se procesi i reformës zgjedhore ende nuk ka marrë udhë plotësisht. Tani është koha që t’i hiqet një vijë të shkuarës, në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Tani është koha që partitë politike të mbajnë fjalën, me veprime të vërteta dhe konkrete. Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë zgjedhore. Komisioni duhet të ngrihet sa më shpejt. I përgëzoj të gjitha palët për nivelin e dialogut ndërpartiak që është zhvilluar ditët e fundit. Tani i nxis të gjithë të bëjnë edhe atë hap të mbetur, në mënyrë që procesi i reformës zgjedhore të mund të fillojë, më në fund”,- tha Ëolfarth. Ambasadori i OSBE-së kërkoi që partitë politike të miratojnë ndryshimet e nevojshme ligjore për të pasqyruar rekomandimet përkatëse të OSBE/ODIHR-it.

wolfarth “Është koha që t’i hiqet një vijë të shkuarës, në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Tani është koha që partitë politike të mbajnë fjalën, me veprime të vërteta dhe konkrete.”

Arvizu

“E shkuara nuk mund të përdoret më si një justifikim për dështimet e Shqipërisë në zbatimin e proceseve demokratike.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›