E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ramën e ka kapur sindromi posesiv i Kurbanit.

Kryeministri Berisha foli dje edhe për dy vendime që qeveria do të ndërmarrë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Berisha kërkoi gjithashtu rishikim të historisë për ngjarjet më të rëndësishme.

TIRANË Në mbledhjen e djeshme të qeverisë kryeministri Sali Berisha foli gjatë mbi organizimin e veprimtarive festive me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Por ai nuk shmangu as vizitën e fundit të zhvilluar në Maqedoni, duke thumbuar në të njëjtën kohë liderin e opozitës, Edi Rama. “...Pata një takim me ish Presidentin dhe kryetarin e LSDM-se, Branko Crvenkovski. Me të diskutuam për zhvillimet në të dy vendet. Më njohu me vendosmërinë e tij për të mbështetur procesin e integrimit të vendit të tij në NATO, për të votuar opsionin e qeverisë për zgjidhjen e problemit të emrit dhe zhbllokuar procesin e anëtarësimit në NATO. Tek bisedoja me të mendja më shkonte se si t’ia bëjmë kryetarit të socialistëve shqiptarë që të marrë një kurs prej tij. Ua thashë dhe atyre të tjerëve, se si nuk mund të bllokohet, nuk mund të përdoret pushteti, pavarësisht nga kundërshtitë që ke me rivalin tënd në pushtet. Nuk mundet kurrë ta përdorësh pushtetin për të ndëshkuar qytetarët e tu. Nuk mundet kurrë të viktimizosh fëmijët, burrat, gratë e këtij vendi se humbet vetë, se të kap sindromi obsesiv i Kurbanit dhe do të kurbanizosh interesat më jetike të fëmijëve të këtij vendi”,- tha dje Berisha. Përpos qendrimit të radhës, Berisha u përqendrua në festimet që duhet të ndërmerren për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Berisha tha gjatë mbledhjes se do të shpallet një vendim “Për shpalljen e vitit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, si dhe një tjetër “Për krijimin Komisionit Shtetëror për organizimin e veprimtarive festive për ‘Vitin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipëris뒔, që do të merret edhe me ngritjen e një Monumenti të ri të Pavarësisë, edhe pse Shqipëria e njeh një të tillë në Vlorë. “... Është vendosur që në këtë kuadër të nisë ndërtimi i parlamentit dhe i stadiumit, dy projekte këto për të cilat qeveria qëndron plotësisht dhe, natyrisht, brenda të gjitha procedurave ligjore më solide. Vepra më e madhe e këtij 4-vjeçari, tuneli Tiranë-Elbasan, është një tjetër monument, dëshmi e Shqipërisë 100-vjeçare...”, - u shpreh Kryeministri. Berisha foli sërish për rishikim të historisë, me qëllim që ngjarjet më të rëndësishme për vendin të shikohen me objektivitet. “Ata, të cilët bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë, kanë meritën e themeluesve të saj, të themeluesve të shtetit. Natyrisht, duhet të vlerësohen me objektivitet historik në të gjithë kompleksitetin e tyre. Mënyra më e papranueshme do të ishte njëanshmëria e vështrimit dhe vlerësimit të këtyre figurave, pasi ky është, për fat të keq, shablloni i totalitarizmit, i diktaturës me të cilën ato u konsideruan. Shpresoj që ky 100-vjetor të jetë një frymëzim i madh për historianët shqiptarë, për të bërë atë që nuk e kanë bërë sa duhet dhe si duhet, për të nxjerrë në shesh të vërtetat historike, të cilat në çdo lloj varianti nuk mundet kurrë të zbehin qëndresën mbinjerëzore të këtij kombi për liri dhe dinjitet”,- tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›