Wollfarth: Funksionimi i plotë i institucionit zgjedhor duhet të jetë në krye të angazhimeve të partive politike
Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, konsideron se funksionimi i plotë i institucionit zgjedhor duhet të jetë në krye të angazhimeve të partive politike. Ai foli për gazetarët në fund të një veprimtarie të organizuar nga OSBE-ja për mbështetjen e votimit të të verbërve në zgjedhje. Pak më vonë do t’ju dërgoj fjalën e ambasadorit dhe fotografi nga veprimtaria. “E kam përmendur para disa ditësh pasja e një KQZ-je të plotë duhet të jetë në krye të listës së dëshirave. Ajo çka është më e rëndësishme, dëshiroj të them se ndiej një sens gjithmonë e më të madh konstruktiviteti këtu në vend, këtu në Shqipëri, në këto ditë të rëndësishme para zgjedhjeve, në këtë vit të rëndësishëm. Zgjedhjet dhe përgatitja e zgjedhjeve është një proces i rëndësishëm, ku qartas përfshihet KQZ-ja. Por edhe diskutimi nga partitë politike dhe liderët politikë rreth gjërave të tjera të rëndësishme që vijnë pas 23 Qershorit është shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm. Hapja e rrugës drejt integrimit të mëtejshëm evropian dhe, kështu, edhe drejt stabilizimit institucional, është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj unë uroj të merret sa më shpejt, duke përfshirë këtu edhe parlamentin. Por do të doja të theksoja se kjo është një dëshirë imja, duke e konsideruar veten një mik të shqiptarëve, nuk është një apel. Çdo gjë që do të vendoset në parlament do të jetë një vendim i duhur dhe sovran dhe unë sigurisht shpresoj që të jetë në të mirë të shqiptarëve. Kuptohet që të ashtuquajturat ‘tri ligje’ janë shumë të rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është edhe lufta ndaj korrupsionit, trafikimit dhe disa problemeve të tjera të vështira. Siç e thashë, ndjenja në rritje e konstruktivitetit bëhet gjithmonë e më e dukshme dhe unë do të doja ta shihja më shumë”- u shpreh Wollfarth.
...