Wollfarth: Palët të dialogojnë, KQZ-ja duhet e ligjshme dhe e besueshme
Tiranë- Situata në të cilën ndodhet Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vetëm pak javë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, ka shqetësuar faktorin ndërkombëtar të cilët bëjnë thirrje që të gjendet gjuha e përbashkët mes partive të mëdha politike për të riformatuar institucionin më të lartë të zgjedhjeve, me qëllim që të jetë i plotë.
Kështu, edhe ditën e sotme, kreu i prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth reagoi duke theksuar edhe një herë nevojën e dialogut mes palëve, dhe bëri thirrje për ta bërë atë.
Teksa theksoi se KQZ-ja duhet të jetë e plotë dhe i besueshëm.
Çështja e KQZ-së duhet të jetë në krye të axhendës. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së theksoi ditët e fundit se nevojitet dialog dhe ndërveprim mes partive politike për të bërë të pamundurën për rritjen e besueshmërisë dhe ligjshmërisë së KQZ-së. Kjo nevojitet për zgjedhje të mbara dhe për një proces të mbarë zgjedhor. Gjithashtu, kjo është një thirrje e fortë për të dyja kampet politike që të bëjnë, në mënyrë konstruktive, atë që nevojitet për të siguruar një proces të mirë të përgatitjes së zgjedhjeve, me përfshirjen e të gjitha kampeve.
Tani është shumë e rëndësishme që qeveria, pra shumica, të bëjë përpara për të krijuar një atmosferë që lejon për hapa të mëtejshëm, ashtu sikurse është e rëndësishme që opozita të paraqesë pjesë konstruktive të këtij dialogu, për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së. Ky ndërveprim është shumë i nevojshëm.
Zgjedhjet janë caktuar për më 23 qershor. Që të jenë zgjedhje të suksesshme për vendin, ato duhet të respektojnë rregullat demokratike dhe pjesë e tyre është, qartësisht, një KQZ plotësisht funksionale dhe plotësisht e legjitimuar. Pra, më lejoni të ritheksoj: duhet të punohet për të rritur besueshmërinë dhe ligjshmërinë e KQZ-së. Ajo mund të funksionojë siç është tani, por duhet bërë më shumë dhe për këtë nevojitet ndërveprimi pozitiv i partive politike, tha Wollfath.
Këto deklarata Wollfarth i bëri në fund të një veprimtarie në Qendrën e Formimit Policor, ku ishte i pranishëm së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, për të ndjekur një trajnim për punonjësit e policisë, të organizuar nga Prezenca e OSBE-së.