Mesazhi i ODIHR: Reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse
TIRANË Në përfundim të vizitës së tij në Tiranë, kreu i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet lokale, Xhonatan Stounstrit, ka deklaruar se reforma e ardhshme zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Pas takimeve të zhvilluara dy ditë më parë me krerët më të lartë të shtetit dhe drejtues të partive politike, Stounstrit ka theksuar se nga të gjitha palët ai kishte marrë garancinë se reforma do të niste shumë shpejt. “Partitë politike na garantuan se janë të interesuara që të fillojnë punën për reformën zgjedhore. Njëkohësisht na konfirmuan se janë të interesuara që të nisin sa më shpejt, por pa u ngutur për tu bërë gati për vitin 2013. Gjithashtu ramë dakord që ky proçes të jetë gjithëpërfshirës duke marrë pjesë në të edhe parti jashtë Kuvendit, por edhe shoqëria civile”, - tha Stounstrit pas një konference për shtyp. Kreu i misionit të vëzhguesve nuk kishte shumë për të thënë, duke shtuar se gjithçka rreth qëndrimit të tyre ishte pasqyruar qartësisht në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit. Gjatë konferencës së djeshme, Stounstrit është pyetur edhe për zgjedhjet në Tiranë, duke theksuar se gara ishte e pazakontë. "Nuk dua të bëj një vlerësim pasi gjithcka ndodhet qartësisht në raport. Procesi në Tiranë ishte i pazakontë pasi ishte një garë shumë e ngushtë dhe u zhvillua në një klimë të tensionuar politike. Nuk kemi ç'të themi diçka ndryshe nga ajo që është thënë në raport. Reforma zgjedhore është serioze me një sërë çështjesh të cilat duhen adresuar. Ajo që është më e rëndësishme është gjithpërfshirja e partive politike dhe institucioneve në ndërtimin e një besimi tek votuesit duke i rikthyer zgjedhjet në shërbim të votuesve dhe jo vetëm për partitë politike", - tha Stounstrit.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 majit sugjeroi një sërë rekomandimesh për autoritetet shqiptare, partitë politike dhe administratën zgjedhore. Shumica e rekomandimeve përfshijnë ato të raportit të vitit 2009, ndërkohë që në raportin përfundimtar, misioni kërkon nga partitë politike që të vendosin si prioritet demonstrimin e vullnetit politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe në përputhje me standardet zgjedhore. OSBE/ODIHR u kërkon partive që të bëjnë detyrën e tyre në interes të Shqipërisë duke shmangur ndërhyrjen e vendimeve zgjedhore me konsideratat politike.