Ligjet, PD: Rama po ndërmerr mashtrimin e radhës
TIRANË Mosmiratimi i ndryshimeve të Kodit Detar, Hekurudhor dhe Ajror nga ana e Partisë Socialiste në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, dy ditë më parë në Kuvend, është konsideruar nga Partia Demokratike, si mashtrimi i radhës i kryetarit të PS-së për të mos u angazhuar seriozisht në integrimin e vendit. Deputetja e PD-së, Mesila Doda, ka deklaruar dje për mediat, se kjo lëvizje ishte dredhia e radhës e kryetarit të PS-së. “Z.Rama do të futet përgjithësisht në historinë e politikës shqiptare si një politikan i cili ideon dredhi të vogla, por përgjithësisht bie pre e dredhive, që ai vetë krijon. Në këtë rast, integrimi i vendit është një çështje madhore për shqiptarët, është po aq madhore edhe liberalizimi i vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët”,- tha ajo. Mos votimi i projektligjeve të rëndësishme, që kërkojnë shumicë të cilësuar për tu miratuar, për deputeten demokrate shënojnë vetëm bllofin e radhës. “Mos votimi i ligjeve në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese shënon vetëm bllofin e radhës të PS-së si dhe vazhdimin e strategjisë bllokuese e cila nisi dy vite më parë, kur u bë një lobing i fortë kundër lëvizjës së lirë të shqiptarëve dhe shënon gjithashtu dredhinë e radhës për kryetarin e PS-së”,- tha ajo.