E Diel, 1 Nëntor 2026

Wollfarth-i ka të drejtë lidhur me Spahiun. Por zoti ambasador: Ju jeni një palo diplomat!

Share

Nga Mustafa Nano

Kreshnik Spahiu paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, pasi ka një funksion publik. Funksionari publik duhet tia kushtojë kohën detyrës që kryen, ka thënë ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth. Ka të drejtë? Absolutisht, po. Kreshnik Spahiu duket i pambrojtur dhe i pambrojtshëm në këtë rast. Veç në e shpëtoftë ndonjë interpretim rigoroz i procedurave të shkarkimit të zv.kryetarit të KLD-së nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Por edhe sikur ta shpëtonte Gjykata Kushtetuese, kjo që ai bën për muaj e muaj të tërë është një gjë që ska bythë të rrijë. Është një gjë tërësisht e gabuar. Përveç kësaj, janë të gjitha shenjat e të dhënat se ky, edhe punën e zv.kryetarit të KLD-së, e ka bërë si mos më keq. Sistemi i drejtësisë sot ka fytyrën e Kreshnik Spahiut.

Por lindin disa pyetje për ambasadorin Wollfarth: Ju duket e drejtë, zoti ambasador, që kryeministri paguhet nga ne për të qeverisur këtë vend, dhe që ai merret me kundërshtarët e tij politikë në çdo mbledhje qeverie? Ju duket e drejtë që Berisha të shpallë puç shtetëror nga zyra e kryeministrit? Ju duket e drejtë që Televizioni Publik është tërësisht i pushtuar nga fytyra e kryeministrit (dhe nga fytyra juaj, zoti ambassador, me që ra fjala)? Ju duket e drejtë që Jozefina Topalli merret gjithë ditën me aktivitete partiake, ku mban fjalime sektare e ku demonizon leader-in e opozitës? Ju duket e drejtë që të mbyllen dyert e shkollave, kur Jozefina Topalli ka tubime elektorale, të cilat ajo don ti mbushë me nxënës? Ju duket e drejtë që kryeministri të refuzojë urdhërin e prokurorisë për arrestimin e gardistëve të dyshuar për krim? Ju duket e drejtë që kryeministri ti thotë prokurores lavire bulevardi, presidentit horr bulevardi, apo që ti thotë kundërshtarit të tij politik provoje dhe njëherë, dhe do ndëshkohesh si bandit? Për këtë e paguajmë ne, taksapaguesit shqiptarë, kryeministrin tonë?

Jo, me siguri nuk ju duken të drejta. E në këto rrethana, më duket mua e drejtë tju them një gjë, zoti ambasador: Ju jeni një palo diplomat! Madje, më shumë se kaq: jeni një diplomat kopuk. S’ish parë ndonjëherë ambasador si ju këtyre anëve, qysh nga koha e krijimit të shtetit shqiptar.

http://respublica.al/artikuj/2012/1/19/wollfarth-i-ka-te-drejte-lidhur-me-spahiun-por

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›