E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i “Rregullores në burgje”, si do realizohet arsimimi në burgje



“Duke u sjellë mësuesit për të mësuar apo dhe duke iu mbushur ditën me punë, të dënuarit e paarsimuar dhe ata që kanë një nivel të caktuar arsimimi, nuk do të kenë kohë të mendojnë për atë vepër penale për të cilën janë dënuar apo dhe për të çuar mendjen në kryerjen e veprimeve të këqija”. Në këtë mënyrë e ka argumentuar drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, indicien që kanë marrë për të bërë disa ndryshime të rëndësishme në “Rregulloren e re të burgjeve”, ku përveç risisë së punësimit, është edhe arsimimi dhe edukimi gjatë kohës që vuajnë dënimin. Për këtë arsye, në muajin dhjetor është nënshkruar një marrëveshje mes tri ministrive që do të bëjë të mundur arsimimin në burgje. Por, përveç kësaj, me nene të veçanta, arsimimi është futur në draftin me ndryshime të “Rregullores së burgjeve”, ku është përcaktuar mënyra sesi do veprohet për të arritur këtë risi në burgjet tona. Kjo iniciativë u bë e mundur, falë mbështetjes së Ministrisë së Financave që mori përsipër të mbështesë financiarisht pagesën e mësuesve që do japin mësim në burgje. Arritja e një marrëveshjeje të tillë për ta kthyer kohën e burgimit jo vetëm për të shlyer fajin e kryer, por edhe për të mësuar, punuar dhe në raste të tjera edhe për kryerje aktivitetesh argëtuese, mund të konsiderohet një hap përpara në sistemin e burgjeve, në momentin që në rregulloren e burgjeve janë futur nene konkrete se si do zbatohet nga sistemi i burgjeve.

Arsimimi

Të burgosurve që nuk e kanë përfunduar arsimin nëntëvjeçar, u krijohen kushte për përfundimin e tij, me program të veçantë të miratuar nga Ministria e Arsimit. Kjo përcaktohet në nenin 75 të rregullores së burgjeve, në draftin me ndryshime të paraqitur për miratim në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo bëhet me qëllim që për të miturit e burgosur, të merren masa që të mos ndërpresin vazhdimin e arsimit të detyruar. Mësimdhënia do të realizohet nga mësues, të cilët do të financohen nga Ministria e Financave. Në përfundim, i burgosuri pajiset me dokumentin që vërteton përfundimin e arsimimit dhe rezultatet e tij. Kështu, në këtë mënyrë nxitet pjesëmarrja e të burgosurve për arsimimin në nivele më të larta brenda dhe jashtë institucionit. Institucioni për të burgosurit që studiojnë në nivelin 9-vjeçar dhe të mesëm, merr përsipër mbulimin e shpenzimeve për arsimim. Ndërkohë që në një nen tjetër, përkatësisht neni 76 i rregullores, përcaktohet që nga institucionet e vuajtjes së dënimit duhet të organizohen kurse për përgatitjen profesionale të të burgosurve. Sipas draftit me ndryshime, mësimdhënia realizohet në institucion ose jashtë institucionit nga profesionistë, përzgjedhja e të cilëve dhe dhënia e autorizimit përkatës bëhet nga drejtori i institucionit. Në këtë mënyrë synohet të nxitet pjesëmarrja e të burgosurve që kanë nevojë për të frekuentuar këto kurse.

Qëllimet e edukimit

Trajtimi human i të burgosurve bëhet në përshtatje me kapacitetin, arsimin, gjendjen social-ekonomike, prirjet dhe aftësitë që kanë. Puna me njeriun e privuar nga liria në përshtatje me dëshirat, vullnetin e tij, përmbajtjen njerëzore dhe mundësitë që lejojnë kushtet konkrete në institucion përbëjnë objektin e punës edukative. Për realizimin e edukimit të të burgosurve, institucioni duhet të vërë në dispozicion të gjitha burimet e përshtatshme, duke realizuar përkrahjen morale, kualifikimin profesional, arsimimin, edukimin fizik, zhvillimin e aftësive shoqërore, këshillimin, pjesëmarrjen në aktivitete të përbashkëta dhe nxitjen e kontakteve me jashtë, në mënyrë që të zgjerohet perspektiva e riintegrimit shoqëror pas lirimit.

Vëzhgimi dhe programet individuale të trajtimit

Personeli i edukimit ka për detyrë të realizojë vëzhgimin e personalitetit të të burgosurit, me qëllim qartësimin e nevojave lidhur me mungesat fizike, afektive, ose shoqërore, të cilat kanë penguar zhvillimin e një jete shoqërore normale të tij. Bazuar në këto, si dhe në të dhënat personale, familjare e shoqërore, masën e dënimit, ndërtohet programi individual i trajtimit të të burgosurit, i cili realizohet nga një grup ekspertesh të fushave social-psikologjike e pedagogjike. Programi individual përfshin terapi, këshillim, shërbim bibliotekar etj. Punonjësi i edukimit i evidenton të dhënat e grumbulluara nga vëzhgimi dhe trajtimi individual, si dhe nga sjellja gjatë gjithë periudhës së burgimit në dosjen psiko-sociale. Këto shërbejnë për përmirësimin e trajtimit të mëtejshëm si dhe për hartimin e vlerësimit të sjelljes. Programi individual i trajtimit të të burgosurit, diskutohet me të burgosurin. Ky program mund të ndryshohet në varësi të ecurisë së të burgosurit. Në një nen të veçantë përcaktohet edhe pjesëmarrja e të burgosurve në aktivitete dhe veprimtari kulturore, çlodhëse e sportive. Procesi i edukimit përfshin edhe programe të trajtimit në grup të të burgosurve, duke iu dhënë mundësi atyre të marrin pjesë, në aktivitete të ndryshme të institucionit, të cilat i ndihmojnë ata të zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë, vetëbesimit, si dhe të nxisin interesin, si arsimimin, formimin profesional, veprimtaritë kulturore, çlodhëse e sportive, punën etj. Këto kanë si qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive fizike, shpirtërore dhe psikike.

Shërbimi bibliotekar

Në institucionet e burgimit duhet të ketë një bibliotekë për përdorim nga të gjithë të burgosurit dhe për këtë arsye, në të gjitha burgjet po bëhen përpjekje që të shtohet numri i librave në biblioteka, si dhe kontakte me botues të ndryshëm për pasurimin e tyre. Shërbimi i bibliotekës organizohet dhe mbikëqyret nga punonjësi përgjegjës, i cili kujdeset për mirëmbajtjen dhe pasurimin e saj, shpërndarjen e literaturës dhe përhapjen e dijes dhe të kulturës. Por, në përzgjedhjen e literaturës duhet të mbahet parasysh sigurimi sa më i mirë i pluralizmit shkencor, kulturor dhe artistik.

Favorizohet leximi pa kufizim i publikimeve dhe përdorimi i sistemeve të tjera informative të bibliotekës së institucionit. Çdo bibliotekë në institucion, duhet të ketë literaturë për të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve, legjislacionin bazë, Procedurën Penale dhe Penitenciare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›