Lojërat e fatit, garanci “të ngrirë” për fituesit
Kushdo luan tek subjektet e lojërave të fatit dhe rezulton fitues i një vlere të madhe parash, ligji e garanton atë t’i disbursohen në llogarinë e tij paratë e fituara në lojë. Biznesi i lojërave të fatit është i detyruar të bëjë bllokimin e një sasie parash si garanci për fituesit. Vlera e këtyre parave që bllokohen, varion në nivele të ndryshme sipas llojit të lojërave që subjekti është licencuar. Kjo do të thotë se shifra që do të bllokohet në favor të fituesve, është e ndryshme, për ata të bingos, kazinove, bastet, lotaritë.
Ministria e Financave ka nxjerrë këto ditë udhëzimin, që vendos rregullat e reja në tregun e lojërave të fatit, në përputhje me ligjin nr. 10.033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit“. Ky udhëzim përcakton me hollësi shifrat e parave që duhet të ngurtësojnë bizneset, të cilat operojnë në këtë fushë, në formë garancie për fituesit. Këto para, të gjitha kategoritë e bizneseve të lojërave të fatit, duhet t’i mbyllin e t’i ngurtësojnë në një llogari të posaçme bankare. Por, vlejnë për këtë fond, në përgjithësi, edhe paratë që janë deklaruar nga kompania (subjekti) si kapital themeltar në momentin kur është krijuar.
Për operatorët “bingo“, shifra që duhet të bllokohet në favor të fituesve, do të jetë përkatësisht 2 milionë lekë të reja për bingo të rretheve të kategorisë së parë, 1.5 milionë lekë të reja për bingo të rretheve të kategorisë së dytë dhe 1 milion për ato që veprojnë në rrethe, të konsideruara si kategori e tretë. Ndërkohë, këto subjekte, pavarësisht se ku veprojnë, duhet të ngurtësojnë edhe shifrën prej 1 milion lekësh për çdo filial apo sallë të tyre të hapur në territorin e vendit.
Në rastin e operatorëve të kazinove, udhëzimi parashikon krijimin e detyrueshëm të një fondi garancie, në masën 500 mijë lekë të reja për çdo makinë elektronike në përdorim, me një kufi maksimal prej 5 milionë lekësh të reja.
Rritet më tej fondi i garancisë për operatorët e kategorive “baste sportive dhe baste për gara në pistë”. Sipas udhëzimit të ministrit të Financave, organizatori i një biznesi të tillë duhet tanimë të garantojë për çdo lojë fituesin apo fituesit e lojës, me kapitalin themeltar të shoqërisë dhe me fondin e ngurtësimit në masën 7 milionë lekë të reja (70 milionë lekë të vjetra). Shifra më e lartë e fondit, të kërkuar nga qeveria për ngurtësim në drejtim të një operatori të lojërave të fatit është ajo që caktohet për lotaritë kombëtare. Sipas legjislacionit, të iniciuar nga qeveria‚ licencën për një lotari të tillë mund ta gëzojë vetëm një kompani. Organizatorëve të saj u kërkon tani të garantojnë fituesit e lotarisë me një shumë në masën 20 milionë lekë të reja (200 milionë lekë të vjetra), ku mund të përfshihen kapitali themeltar i kompanisë, ashtu edhe fondi i posaçëm i garancisë, i ngurtësuar në një llogari bankare për këtë qëllim.
Lojërat e fatit, kontroll për licencat
Pak ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri "Për lojërat e fatit”, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ka nisur disa ditë më parë aksionin për konfiskimin e mjeteve elektronike të përdorura për aktivitet të paligjshëm nga subjektet. Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin ekzistojnë rreth 1500 adresa, në të cilat zhvillohet aktivitet i lojërave fati. Në rreth 400 prej tyre ushtrohet aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit. Njësia vepron kur subjektet ushtrojnë aktivitet të paligjshëm, që do të thotë se nuk janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe nuk kanë leje për ushtrim aktiviteti.
Rasti i dytë kur njësia vepron është kur subjektet janë të regjistruara, por nuk kanë NIPT sekondar, që do të thotë ushtrojnë aktivitet në pika sekondare të paligjshme. Rasti i tretë ku njësia vepron, është kur njësia ka vendosur masën e pezullimit ose bllokimit për arsye të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit. Në këtë rast njësia bën konfiskimin.
Masat e ndërhyrjes së njësisë shkojnë edhe më tej. Kur subjektet nuk kanë shlyer detyrimet, njësia mund të kërkojë bllokimin e pasurive bankare dhe të pasurive të paluajtshme