Shkolla e Baletit, një mbrëmje gala në skenën e TKOB
Liqeni i Mjelmave apo fragmente nga baleti Don Kishoti erdhën në skenën e TKOB nga interpretimi i balerinëve të rinj. Shkolla e Baletit organizoi një mbrëmje gala, ku për publikun u interpretua një repertor i pasur me pjesë nga veprat më të mira të repertorit botëror,
por nuk munguan dhe pjesë të njohura shqiptare. Në këtë mbrëmje të veçantë ishin të gjithë së bashku nxënës dhe pedagogë, emra të njohur të baletit por dhe personalitete të artit dhe kulturës, të cilët shijuan këtë mbrëmje të veçantë, një mozaik i bukur me pjesë nga veprat të cilat kanë bërë jehonë, jo vetëm në skenën shqiptare, por dhe atë të huaj. Përvoja e kësaj shkollë është goxha e madhe, dhe në këto vite punë kanë dalë breza të tërë balerinësh, të cilët sot po prezantohen me sukses jo vetëm në skenën shqiptare por dhe në botë. Në këtë mbrëmje gala nxënësit do të shpalosin vlerat më të mira dhe më të bukurat, që ka shkolla e baletit dhe aq më tepër në këtë vit të ri shkollor përparësi ne i kemi dhënë gjithëpërfshirjes së nxënësve në këtë mbrëmje gala. Si çdo vit shkollor dihet që ekziston ai trinomi që është puna e ndërsjelltë ndërmjet mësuesit, pedagogut dhe drejtorisë. Për këtë mbrëmje një risi të veçantë ka kostumografia, dhe repertori i përzgjedhur. Janë përzgjedhur perlat e repertorit botëror, tregon mbi mbrëmjen gala drejtoresha e shkollës Blerina Arbana. Më tej ajo pohon se për këtë mbrëmje gala kanë punuar që të gjithë pedagogët, dhe kjo mbrëmje nga ana tjetër veç kënaqësisë që i jep publikut, mbi të gjitha është shumë e rëndësishme dhe për vetë nxënësit e saj, pasi u krijon atyre mundësinë që të provojnë emocionet e një skene të madhe. E veçanta e kësaj shkolle është pasi bazë është futur baleti kontemporan, është Anila Vasjari, e cila e ushtron këtë lloj zhanri në shkollën tonë. Për këtë mbrëmje gala kanë punuar pedagogët më të mirë që ka shkolla dhe ajo çka është më e mira që ne bëjmë për nxënësit e shkollës është se ne atyre ju krijojmë mundësi në mënyrë që të shkelin skenën pasi dashje pa dashje njeriu duhet të provojë veten e vet, pasi shumë nxënës nga shkolla jonë janë sot lider të baletit në skenat evropiane dhe kanë debutuar me sukses në çdo skenë, pohon drejtoresha Arbana. Në vijim të aktivitetit të saj, shkolla zhvillon dhe një aktivitete të ngjeshur artistik, i cili shtrihet në qytete të ndryshme të vendit, por dhe më gjerë ku nuk kanën munguar dhe turne në Itali. Për sezonin e ardhshëm shkollor nga drejtoresha Blerina Arbana bëhet e ditur se fundi i vitit do të jetë me një balet të madh botëror. Vitin e ardhshëm do të organizohen dy koncerte, një koncert në fund të vitit me baletin Arrëthyesi. E them me bindje se suksesi gjatë kësaj mbrëmje gala do të jetë i padiskutueshëm, pasi puna ka qenë e ndarë dhe çdokush ka marrë përgjithësitë e veta. Kur është një punë sistematike, një disiplinë artistike, një përgjegjshmëri profesionale si nga pedagogu ashtu dhe nga nxënësi suksesi do të jetë dhe te publiku, cilëson ndër të tjera drejtoresha Arbana. Shkolla shqiptare e baletit u krijua në vitin 1957 nga një grup artistësh të talentuar, që u formuan në Balshoi teatër si Agron Aliaj, Zoica Hoxha, Melushe Bebesiqi, Ganimet Vendresha, Xhemil Simixhiu dhe Petrit Vorpsi. Nga shkolla e baletit kanë dalë breza të tërë artistësh të talentuar dhe të gjithë ata ishin mbrëmë së bashku për të festuar në mbrëmjen gala në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, që e ftoi publikun të shijonte pjesë të mrekullueshme baleti botëror. Godina e Shkollës së Baletit është rikonstruktuar tre vite më parë dhe aktualisht shkolla është në gjendje shumë të mirë dhe i plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e mësimit specifik të këtij institucioni.
Nga Julia Vrapi