E Shtunë, 31 Tetor 2026

X Prishtina starton me fitore

Basketbollistët e X Prishtinës kanë arritur që të shënojnë fitore në ndeshjen e javës së parë të Siguria Superligës përballë Vllaznimit të Gjakovës. Skuadra kryeqytetase ka fituar me rezultatin e ngushtë 62:60 në një ndeshje ku të dyja skuadrat kanë rivalizuar njëra tjetrën gjatë gjithë kohës. Pjesën e parë të ndeshjes skuadra e drejtuar nga Blerim Krasniqi e ka mbyllur me avantazhin 31:28. Edhe cereku i tretë është mbyllur në të mirë të skuadrës vendase. Në minutën e fundit të ndeshjes kur rezultati ishte i barabartë 60:60, gjakovarët kanë gabuar ndy sulme radhazi, ndërsa X Prishtina ka shënuar dy nga katër gjuajtje të lira për të siguruar fitoren.
"Kemi pasur mjaft probleme gjatë fazës përgatitore dhe nuk jemi përgatitur si duhet. Akoma klubi ka telashe të mëdha, dhe ndeshjen e sotme e kemi luajtur me vetiniciativë, ndërsa e ardhmja e kësaj skuadre është e paqartë", ka thënë trajneri i X Prishtinës, Blerim Krasniqi. Skuadra kryeqytetase, që ka marrë emrin "X Prishtina" pas largimit të kompanisë Mabetex si sponsor i kësaj skuadre, ka në radhët e saj disa emra të njohur të basketbollit kosovar, ndër të tjerë edhe Florent Lilën dhe Driton Obërtincën që kanë udhëhequr skuadrën e tyre në këtë ndeshje me 16, përkatësisht 14 pikë të shënuara. (L.I)

X Prishtina – Vëllaznimi 62:60 (19:19, 12:9, 17:18, 14:14)

Palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë
Shikues: 100
Gjyqtarë: Hoti, Hoxha, Hasani
Pesë gabime: N. Dragusha - Thaqi, Syla, Zeka

X Prishtina: Obërtinca 14, Lila 16, N. Dragusha 7, Ashimi, Krasniqi 6, Ferati 8, Rugova 1, Xhemajli, B. Dragusha 2, Pacolli, Raca 8 – Trajner – Blerim Krasniqi

Vëllaznimi: Zatriqi 4, Thaqi 18, Rizvanolli, Rraci 5, Alia, Batusha 1, Juniku, Syla 4, Zeka 12, Konushevci, Ferizi 16, Gashi - Trajner: Shkumbin Kumnova

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›