E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Berisha të reflektojë sa nuk është vonë

12/09/2009  PS për kushtet

Partia Socialiste kërkoi dje nga kryeministri Sali Berisha të reflektojë kërkesat e kësaj partie përmes të cilave ajo ka kushtëzuar pjesëmarrjen në Kuvend. “Berisha duhet të kuptojë se as gënjeshtrat e njëpasnjëshme dhe as indiferenca teatrale ndaj kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit nuk e shpëtojnë dot atë dhe qeverinë e dytë të Gërdecit nga përballja me të vërtetën që fshihet në ato kuti të marra peng në shkelje të ligjit e të së drejtës sonë të pamohueshme”, - u shpreh deputetja socialiste Olta Xhaçka gjatë një konference për shtyp. Njëkohësisht ajo hodhi poshtë deklaratat e një dite më parë nga Kryeministrit Berisha për ofertat e ardhura nga Rama në adresë të tij për mospërfshirjen e LSI-së në qeveri. “Sali Berisha e uli në prehër Ilir Metën në këmbim të mashtrimit publik që LSI-ja u bëri 83 mijë shqiptarëve, por nuk mund ta ulë dot kurrë më gjunjë Partinë Socialiste dhe kurrsesi nuk mund ta mbajë dot më këmbë qeverinë e dytë të Gërdecit duke mbajtur në errësirë të vërtetën e kutive të krimit elektoral të 28 qershorit. Hapja e kutive është sot një e drejtë e pamohueshme e çdo pale jo vetëm në botën demokratike, por dhe në Afganistanin e largët, prandaj Sali Berisha duhet të reflektojë përpara se të jetë vonë”, - vuri në dukje Xhaçka gjatë fjalës së saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›