Xhaçka: Koha për të forcuar bashkëpunimin me Indinë

Shqipëria dhe India janë në kohë për të forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet në shumë fusha me interes reciprok. Kjo ka qenë tematika qëndrore e një takimi në New York mes ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, me ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, Subrahmanyam Jaishankar. Takimi u zhvillua në nisje të javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në përfundim të takimit, Xhaçka publikoi një postim në Twitter ku ndër të tjera theksoi se është koha për të forcuar bashkëpunimin në fusha me interes reciprok.
“Në nisje të javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, takim shumë i mirë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, Dr. Subrahmanyam Jaishankar. Shqipëria dhe India veprojnë së bashku si anëtarë jo të përhershëm të KS të OKB-së. Koha për të forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet në shumë fusha me interes reciprok”, shkruan Xhaçka.
/rtsh.al/