E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Kriza, koha për protesta kundër qeverisë

24/03/2010 “Për të gjitha këto arsye dhe për atë mori problemesh që ne të gjithë i përjetojmë në jetën tonë të përditshme, u bëjmë thirrje shqiptarëve që të na bashkohen në një valë të pandalshme protestash kundër kësaj qeverie, e cila sot më pak se kurrë ka legjitimitetin për të na qeverisur”, - kjo ka qenë thirrja e radhës e Partisë Socialiste drejtuar opinionit publik. Deputetja e kësaj partie Olta Xhaçka, duke u ndalur në situatën e rënduar ekonomike, shigjetoi ashpër qeverisjen aktuale. “Sali Berisha na flet për mirëqenie e për politika sociale, por sot shqiptarëve u duhet të përballen me një rritje të çmimit të energjisë, që i merr çdo familjeje mesatare shqiptare 30 për qind të të ardhurave të tyre të pakta. Prandaj sot është koha që t’i bashkoheni protestës sonë kundër kësaj qeverie”, - vlerësoi ajo. Madje, po në këtë linjë, Xhaçka shtoi se “mashtrimet dhe papërgjegjshmëria e qeverisë vijnë si pasojë e deformimit të vullnetit të shqiptarëve më 28 qershor, pasi një qeveri që nuk varet nga votat e qytetarëve për pushtetin e saj nuk ka si t’u përgjigjet nevojave, interesave, shqetësimeve dhe aspiratave të tyre. Prandaj më shumë se kurrë sot është koha për të protestuar kundër kësaj qeverie”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›