E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaçka: Të dorëhiqet drejtori i QKR, gënjeu për burrin e Majlinda Bregut

Tiranë, 1 shtator, NOA Sipas Partisë Socialiste bashkëshorti i ministres së Integrimit Majlinda Bregu, Namik Ajazi, nuk është dorëhequr nga kompania MIA International një vit më parë, por në korrik të vitit 2010.

Nisur nga këto të dhëna, deputetja e PS-së, Olta Xhaçka u shpreh sot se opozita kërkon dorëheqjen e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit Biznesit, Tomi Kola për falsifikim të dokumentacionit. Nga ana tjetër Xhaçka ka theksuar se Bregu ka gënjyer në lidhje me përfshirjen e bashkëshortit të saj në investimet energjetike.

Xhaçka paraqiti një letër që mban datën 12 Korrik 2010, pra një muaj më parë, e cila është e firmosur nga bashkëshorti i Ministres Majlinda Bregu, Namik Ajazi, nën cilësinë e Administratorit dhe Ortakut të shoqërisë MIA International. Pra, siç pranon vetë bashkëshorti i Znj. Bregu, të paktën deri një muaj më parë, Zoti Ajazi firmoste shkresa zyrtare në cilësinë e Administratorit dhe Ortakut të kompanisë.

Sipas deputetes së PS-së në këtë letër Ajazi kërkon të mbledhë aksionerët e kompanisë për të dhënë dorëheqjen me qëllim që të largojnë hijen e një skandali korruptiv.

Pyetja që natyrshëm ngrihet është: Cila na qenka kjo arsye emergjente për të cilën flet bashkëshorti Ajazi dhe për të cilën kërkon mbledhjen e menjëhershme të ortakëve. A mos vallë pikërisht në ditët kur opozita denonconte koncesionet korruptive, bashkëshorti i ministres kish filluar të nuhaste se skandali i rradhës do të ishte pikërisht i tiji dhe bashkëshortes ministre? u shpreh Xhaçka.

Ajo ka shtuar se drejtori i KQR-së ka qenë në djeni të këtij fakti dhe ka manipuluar të dhënat e institucionit që drejton.

a.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›