Vdes çifti shqiptar në SHBA, burri vret gruan dhe më pas veten

Detroit, 1 shtator, NOA - Një krim i rëndë ka ndodhur brenda një familje shqiptare në SHBA. Burri ka vrarë me pistoletë bashkëshorten dhe pas pak kohe i ka dhënë fund dhe jetë së tij,duke kryer vetëvrasje me të njëjtën armë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesnatën e së hënës rreth orës 1:30 minuta, në qytetin Westland, 26 kilometra në perëndim të Detroitit në SHBA.
Sipas të dhënave të para, të publikuara nga policia e Westlandit, mësohet se viktimë është 50-vjeçarja, Ermira Dashi e cila u ekzekutua me armë nga bashkëshorti i saj, Lutfi Dashi, 59-vjeç.
Policia tha se burri, 59-vjeçari, Lutfi Dashi ka qëlluar gruan e tij, disa herë para se të ketë kthyer armën kundër vetes. Lutfi Dashi u shpall i vdekur në vendngjarje, thotë policia.
Ndërsa, Ermira Dashi u dërgua në Spitalin Botsford, ku më vonë u deklarua e vdekur.
Një fqinjë e çiftit shqiptar, e cila kërkoi të identifikohet vetëm si "Marian", tha se çifti ishte shumë miqësor dhe kryesisht kishin mbajtur marrëdhënie të mira me të gjithë, dhe se deri mbrëmë nuk kishte parë ose dëgjuar mosmarrëveshje ndërmjet tyre.
"Gjithmonë të qetë, të dashur dhe të respektuar. Unë kurrë nuk kam dëgjuar debat lidhur me marrëdhëniet familjare të këtij çifti," tha ajo. "Marian" tha se, ishte shumë e pazakonshme kur ajo filloi të dëgjojë britmat e një zënke që vinin nga shtëpia e çiftit ku ndodhi tragjedia.
Nuk janë ende të qarta motivet e krimit, por të dhënat e para flasin për një gjendje depresive te bashkëshortit. Zëvendës shefi i policisë së qytetit. Greg Angelosanto tha se "policia nuk ka asnjë dëshmi mbi motivin që e ka çuar burrin të vrasë më parë gruan dhe të bëjë vetëvrasje. Çifti nuk ka të regjistruar në polici asnjë raport në të shkuarën për incidente në familjen e tyre, tha ai.
Dy djemtë e çiftit janë të rritur dhe kanë qenë në shtëpi në atë kohë që ka ndodhur vrasja, tha zëvendës shefi i Policisë së qytetit Greg Angelosanto.
NOA/INA