E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafa: Vendimi i KQZ-së vulosi manipulimin e zgjedhjeve

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste Fatmir Xhafa ka deklaruar se vendimi i djeshëm i KQZ-së i ka vënë vulën manipulimit të procesit zgjedhor ndërsa ka shtuar se PS-ja do të vijojë edhe më tej betejën ligjore për rezultatin e Tiranës.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Xhafa e ka cilësuar si të turpshëm dhe të papranueshëm vendimin e KQZ-së ndërsa e ka cilësuar shumicën në këtë institucion si kamikazë politikë.

Gjithashtu Xhafa ka theksuar se vendimi i KQZ-së ishte i pritshëm dhe aspak befasues nga PS-ja dhe sipas tij ankimimi u kundërshtua jo në thelbin e tij, por për procedurë.

“KQZ-ja përmes Ristanit dhe shumicës kamikaze e kundërshoi ankiminim jo për thelbin por për procedurë. Kjo ishte pjesë e një skenari të orkestruar për të vjedhur rezultatin në tavolinë, vetëm e vetëm për t`i dhënë bashkinë, Lulzim Bashës” theksoi Xhafa ndërsa shtoi se vendimi i KQZ-së nuk ishte rastësi pasi vetë fakti që relator u zgjodh Ristani tregon se ai ka marrë përsipër të drejtojë ekzekutimin e këtij procesi të kundraligjshëm

Ai ka pranuar se beteja është shumë e vështirë, sepse është betejë e njerëzve të ligjit dhe të antiligjit por shtoi se PS-ja do të vijojë me betejën e saj ligjore sepse beson tek drejtësia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›