Xhafa, fatkeqësisht është ende tek ura e Lanës
Shkrimtari dhe filozofi francez La Rochefoucauld shkruan në një citat se “shumë veta nuk do të dashuroheshin kurrë, nëse nuk do të kishin dëgjuar diçka për dashurinë”: ne nuk do të kishim kuptuar kurrë jetën politike në këtë fillimgushti, nëse nuk do të kishim dëgjuar diçka për sajesën e kutive.
E gjithë Shqipëria është me pushime, kurse i vetmi politikan që mendon për kutitë e votimit në piskun e vapës është Fat Xhafa, Sekretari për çështjet Ligjore dhe eksperti i Kodit Zgjedhor që u solli humbjen fatale militantëve të Partisë Socialiste. Edhe Fat Xhafa është një komunist 24 karatësh, por të paktën është më simpatik se sigurimsi Gramoz Ruçi.
Ai vapëtoi se PS është gati të shkojë në parlament për të mbledhur komisionin hetimor për zgjedhjet e shkuara, për hapjen e kutive - se u bëjnë mirë zgjedhjeve lokale. Mirëpo Fat Xhafa përgënjeshtron atë çka ka thënë me 29 maj 2010, pas grevës, kur deklaroi pa të keq në një intervistë në një të përjavshme se “Strasburgu hapi kutitë”. Nëse Strasburgu hapi kutitë, çfarë zekthi vapëtimi e zuri Xhafën në këtë fillimgushti? Nuk dihet. Ajo që dihet është se e ka urdhëruar Rama për të dalë e për të thënë sa thamë më lart.
Ndonëse ai komunikon “bukur” në konferencë për shtyp, në të vërtetë ai nuk thotë asgjë në thelb. Lexoni çfarë tha me kokën e vet: “Si janë këto propozime, në ç’mënyrë dhe si do reagojnë nuk më takon mua ta them, sepse është çështje ndërmjet dy kryetarëve të grupit. Natyrisht janë edhe çështje që kërkojnë dhe nuk ka pse të mos kenë edhe konfidencialitetin e nevojshëm deri në zgjidhjen përfundimtare të tyre”. Thagmë e madhe në këtë gusht. Mirëpo kur s’ka kompetencë për të folur për “negociatat”, pse jep konference shtypi, apo ndofta do të tregojë se është “gjallë” në “manovrimet” e urdhëruara nga Edi Rama? Ky i fundit po u bën zbor deputetëve socialistë edhe në këtë të nxehtë afrikan me grafikun e daljeve për shtyp. Gjithsesi fytyra e Xh(ir)afës përpara kamerave nuk e fshehu mërzitinë se e kishin nxjerrë me zor dhe që është i pakënaqur me urdhrin e kuq të gatishmërisë që u ka bërë Edvini. Kuptohet vetiu se ai më shumë do të donte të ishte me pushime me familjen e tij sesa të dilte me deklarata shterpë që duan të kënaqin militantët se pseudo-kauza e kutive është ende gjallë në mendjen dhe zemrën e palëkundur të Udhëheqësit. Grafiku i dezhurnit është njëra nga shpikjet më me deficit intelektual të politikës së re. është gjetja më e pakuptimtë për të prodhuar një produkt politik.
Zotërinjtë e Partisë Socialiste nuk tregojnë seriozitet, njëherë duan transparencë dhe herë tjetër duan valencë politike me sulme për krizën ekonomike, fillojnë dhe ndërpresin greva e protesta, futen e dalin nga parlamenti, hyjnë dhe nuk votojnë ligje, por e gjuajnë qeverinë me llastiqe verbale.
Në vjeshtë frika më e madhe është inskenimi i parapërgatitjes së delegjitimimit të zgjedhjeve lokale nga frika e humbjes së tyre. Ai nxjerr Xhafën për të thënë se hetimi i zgjedhjeve të 29 qershorit nevojitet për përmirësimin e Kodit të ri Zgjedhor, por kjo mund të bëhet edhe pa komision hetimor, mjaft të plotësohen rekomandimet e OSBE-ODIHR.
është e kuptueshme se Edi Rama po sekuestron realizimin e reformës së re zgjedhore, duke i pasur sytë tek zgjedhjet lokale, tek të cilat ai ka varur shpresat për mbijetesën e tij në politikë. Dhe sikundër dihet Bashkia e Tiranës, e cilësuar si "Thembra e Akilit", është e vetmja alternativë e kreut aktual të PS-së. Paridi jo vetëm bukurosh i PD-së duhet të synojë shembjen e kështjellës së abuzimeve që ka instaluar klika e betonarmesë. Sot për sot Bashkia Tiranë është ngërthyer e gjitha dhe sheh si e si të fitojë kryetari i saj në garën e ardhshme të ethshme zgjedhore. Ajo sot e gjithë ditën favorizon hapur në tendera të pilotuar njerëz të medies që janë rreshtuar me PS-në, marrin apartamente gazetarë të nënshtruar e thurës ditirambesh të partisë politike që kryetari i bashkisë i përket dhe e kryeson. Ndërkohë, po bllokohen në garë kompani biznesi serioze e që kanë bërë shumë për vendin, thjesht pse nuk shihen me sy të mirë “si të anës tjetër”.
Prandaj Fat Xhafa është ende tek Ura e Lanës.