Opozita: Parlamenti të thirret në plazh!
Përfaqësuesit e opozitës janë shpërndarë plazheve të botës, por për t’ia hedhur publikut, kanë organizuar një sistem dezhurni me konferenca shtypi, krejt si ROGL-të e dikurshme të diktaturës. Xhambazët e opozitës lëshojnë ftesa kompromisi ditën për diell dhe bëjnë politikë në mediat e blera, pasi e dinë se parlamenti s’mund të thirret në plazhe dhe se kamerat s’mund të zbulojnë aq shpejt jetët e shumëfishta të djemve me pajë financiare të Edvin Ramës
Braktisja opozitare e frontit të politikës po shoqërohet me fenomenet e pritshme të hipokrizisë në radhët e së majtës. I gjithë lidershipi socialist është rrugëve të botës, duke u nxirë, dhe radha i ka ardhur opozitës virtuale, asaj që bëhet me konferenca shtypi të montuara si dhe me sms që shpërndahen për editorët e gazetave nën kontroll. Edvini ka nisur një itinerar të gjatë Paris-Dubai e kthim, Erion Veliaj u mërzit shpejt nga Shangai dhe u kthye në Tiranë për t’u shfaqur në daljen e radhës për median, para se të arrijë kreun e PS-së në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që djemtë e tjerë me pajë financiare, janë nëpër botë, diku me pushime masone personale e diku duke paguar faturat e të tjerëve sheikëve të masonerisë bolshevike.
Në Shqipëri kanë mbetur vetëm ROGL-të e Partisë Socialiste, Rojet Operative të Gatishmërisë Luftarake. është një përvojë e dezhurnit socialist që përputhet shumë mirë me mungesën totale të respektit që Edi Rama ka për parlamentin e për institucionet. Dje ka qenë radha e Fatmir Xhafës, i cili nën shembullin e buqetës me lule që i dhuroi dikur Merhumit, apo të besnikërisë së pakufi ndaj komandant Edvinit që shfaqi në grevën e fundit të urisë, foli dje kodra pas bregut, sipas sms-së që i kishte ardhur që nga Dubai, e që në kuintesencë do të thoshte: “Ta thërrasim urgjent parlamentin në plazh”. Thirrja në rërë është e vetmja mundësi për të arritur kuorumin e duhur për “kompromisin” e madh që pretendojnë socialistët, paçka se ata patën gjithë sesionin e pranverës për ta arritur (të mos ndalemi tek humbja e plotë e sesionit të vjeshtës së shkuar). Thirrja e parlamentit në plazh është fiks indikatori më i mirë i seriozitetit me të cilën opozita e Edvin Ramës i merr reformat dhe prioritetet e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Skandalet e Parisit e të Dubait s’mjaftojnë për të errësuar thirrjen e mbrame, atë më qesharake që ka lëshuar dje xhambazi haxhiqamilist që drejton të majtën; thirrjen për ta mbledhur parlamentin në plazh... E përballë kësaj thirrjeje poshtë brezit të lejuar, afërmendsh gatishmëria e Viktor Gumit ngjante disi e pavend. Le të mendojmë se mirëkuptimi ka qenë për pjesën konsensuale të reformave, e cila merr kuptim kur të dyja palët janë serioze, pasi për të tjerat, referencat i gjejmë veç tek barcoletat apo tek shpërfytyrimet që përmendeshin rëndom në Byronë politike të Enverit. Fatmir Xhafa duhet të dijë diçka për depersonalizimin e kasnecëve të Merhumit, por sigurisht ka pasur sigurinë se Edvini është gjithsesi karikaturë e Merhumit e po ashtu se jetojmë në një sistem ku ambicia e xhambazëve dhe e opozitës së plazheve s’mund ta fitojë davanë.
Re.po