E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtia e armëve, debatet e Mediut me anëtarët e opozitës

 

Pse opozita kundërshtoi liberalizimin e tregtisë se armëve. Gazeta zbardh qëndrimet e dy kaheve të kundërta politike

 

TIRANË- Debatet e thuajse një viti më parë, për ligjin e kontrollit shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake, sot janë me reale se kurrë, teksa sheh procesverbalin e seancës së mbajtur në datën 05.04.2007. Pikërisht në këtë ditë të muajit Prill të një viti më parë po diskutohej projektligji "Për kontrollin shtetëror të veprimtarisë së import-eksport të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive në përdorim të dyfishtë", draft ky që për herë parë fuste në lojë edhe operatorët privatë në eksport, import, tranzitim armësh apo mjetesh me përdorim të dyfishtë. Një ligj i debatuar ashpër në Komisionin e Sigurisë nga anëtarët e opozitës, por që mazhoranca nuk ngurroi që ta kalonte me shpejtësi në Kuvend, madje me procedurë të përshpejtuar, (vetëm një javë) aq sa për këtë ligj kaq të rëndësishëm shumë pak deputetë ishin të informuar, duke i dhënë dritën jeshile një drafti, përmbajtja e të cilit sot merr të tjera përmasa. Gazeta "Shekulli" publikon të plotë debatet mes ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe anëtarëve të opozitës, të cilët kërkuan me force mbajtjen ende monopol shtetëror të tregtisë së armëve, duke u shprehur se kapaciteti dhe fuqia administrative e shtetit aktualisht ishte e pamjaftueshme për t'u bërë ballë rreziqeve të shpërdorimit në këtë fushë. Kontestimet e opozitës ishin nga më të ndryshmet nga pafuqia e kontrollit të një tregtie të tillë, e deri tek dyshimi kryesor se kjo tregti armësh do të binte në duart e mafies shtetërore.

Fatmir Mediu: ...Ky projektligj synon të rregullojë një fushë, që ka qenë deri tani e hapur, e bardhë, e pakontrolluar, e parregulluar me ligj, e cila mund të krijonte, siç mund të ketë pasur precedentë, abuzime nga autoritetet shtetërore ose individë të caktuar. Kjo është ajo që ne jemi përpjekur që të rregullojmë. Si i tillë, ky projektligj është hartuar në përputhje të plotë me legjislacionin komunitar, në të cilën ne duam që të përfshihemi. Ajo si paketë kërkon, në radhe të parë, që të përcaktohet qartë veprimi ynë brenda Kodit të Sjelljes së Bashkimit Europian për Eksportin e Armëve. Unë këtu kam dhe fletoret zyrtare të Bashkimit Europian, edhe qëndrimet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, të cilat ngrenë shqetësimin se vetëm Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina nuk iu janë përgjigjur kërkesave të Bashkimit Evropian për kontrollin e armëve, sidomos për Kodin e Sjelljes për Eksportin e Armëve. Përse kërkohet që ligji të kalojë me procedurë të përshpejtuar, të nderuar kolegë deputetë? E para, projektligji është detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, për t'u miratuar nga Kuvendi deri në dhjetor të vitit 2006. Pra, ka kaluar afati, sipas detyrimeve të axhendës që ne kemi pasur. Projektligji përcakton parimet e politikës së kontrollit të eksportit, në nenet 4 dhe 8 të tij. Ai rregullon mënyrat e funksionimit për atributet e Autoritetit të Kontrollit të Eksportit në Kreun e Dytë të tij, që do të quhet "Agjencia e Kontrollit Shtetëror të Eksport-Importeve të mallrave ushtarake, mallrave dhe teknologjive në përdorim të dyfishtë". Ky autoritet do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.Fatos Beja: Faleminderit, zoti Ministër!Atëherë, në emër të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, zoti Demi.Leonard Demi: Faleminderit, zoti drejtues i seancës!

Unë do të sjell këtu, në formë shumë të shkurtuar, kontributin që ka dhënë Komisioni i Sigurisë Kombëtarë në mbrojtje të këtij ligji...

Fatos Beja: (Pas shprehjes dakord në parim të Komisionit të Ekonomisë dhe Ligjeve)

Kalojmë në pyetjet për projektligjin dhe pastaj kalojmë tek diskutimet. Kush ka pyetje?

Stefan Çipa: -Faleminderit, zoti drejtues i seancës!

Unë kam një pyetje: Në qoftë se Ministri i Mbrojtjes tha që ky projektligj, për vetë

rëndësinë që ka, është diskutuar nëpër seminare apo edhe në ambasada të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, ka filluar që në vitin 2004, është një ndër kushtet e MSA-së që

ne duhet ta miratonim qysh në muajin dhjetor 2006, apo jo, zoti Ministër, pra, është bërë një debat 2-3-vjeçar, atëherë, përse, kur në Qeveri ka kaluar në fillim të muajit shkurt, në

Kuvend ka ardhur në fund të muajit mars dhe Kuvendi kërkon një seancë urgjente, procedurë të përshpejtuar, për ta kaluar këtë projektligj kaq të rëndësishëm për një javë?

Fatmir Mediu: Faleminderit, zoti Çipa, për pyetjen!

Unë u përpoqa ta shpjegoj që në datën 28 prill, zoti Çipa, në interesin tonë të përbashkët, sidomos tuajin si anëtar i Komisionit të Sigurisë, bëhet në Bruksel diskutimi i dokumentit të paktit, meqenëse ky është një detyrim yni, do të ishte mirë që në paraqitjen që ne do të kemi, është në interesin tonë ta kemi të kapërcyer një pikëpyetje në raport me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian. Pra, të mos ngrihet kjo si një çështje e pazgjidhur nga aspekti ligjor.

Ndërhyn Skënder Gjinushi: Zoti Demi paraqiti këtu mendimin e një pjese të komisionit: Është në Rregullore që paraqitet edhe mendimi i pakicës. Jo vetëm që nuk foli për pakicën, por as nuk tha se cili është mendimi i pakicës, ndonëse në Komisionin e Sigurisë, në fakt, kanë dalë 5 me 5 ose 6 me 6, pra, nuk ka pasur as shumicë, as pakicë. Prandaj, të jepet edhe mendimi i pakicës, siç e parashikon Rregullorja, dhe ta paraqesë ose zoti Koçi, ose zoti Çipa.

Petro Koçi: Ne si opozitë, jemi shumë të vendosur për të kaluar një ligj të tillë por duke

parë se ligji nuk përmban vetëm këtë aspekt, pra, aspektin e rregullimit të procesit, po nga ana tjetër, liberalizon procesin, pra, garanton futjen në lojë edhe të operatorëve privatë në eksport, import, tranzitim armësh apo mjetesh me përdorim të dyfishtë, në këtë aspekt ne kemi qenë kundër në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe kemi kërkuar që miratimi i projektligjit dhe kthimi i tij në ligj të shtyhej, me qëllim shmangien e këtij dimensioni dhe mbajtjen akoma monopol shtetëror të tregtisë së armëve, sepse ne mendojmë se kapaciteti dhe fuqia administrative e shtetit aktualisht është e pamjaftueshme, për t'u bërë ballë rreziqeve të shpërdorimit në këtë fushë. Ne e kemi të qartë se ngrihen pallate në mes të një qyteti dhe e ka shpesh të pamundur shteti për t'i ndaluar. Imagjinoni se çfarë ndodh me tregtinë e armëve, është një fushë shumë delikate, e vështirë për ta kontrolluar. Prandaj, qëndrimi ynë ka qenë që ky proces të mbetej monopol shtetëror dhe kemi kërkuar që kjo pjese e ligjit, pra, e liberalizimit të tregut, të shmangej për këtë moment, sepse edhe njëherë e ritheksoj, që e ka të pamundur shteti shqiptar ta kontrollojë këtë fushë, nëse liberalizohet. Duke e mbajtur monopol shtetëror, gjykoj se duhet të jetë më e lehtë edhe nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të eksporteve, për ta kontrolluar dhe për të mos lejuar shpërdorime dhe kriminalitet në këtë procesFatmir Mediu: Është një shqetësim që vjen në frymën që ne duhet patjetër të kontrollojmë të gjithë këtë proces dhe besoj që ligji vjen në këtë frymë të shtrëngimit dhe të kontrollit rigoroz të procesit. Pra, ligji përcakton veprimin ndërmjet agjencive, që nuk është vetëm Ministria e Mbrojtjes, por janë, e thashë edhe me parë, Ministria e Jashtme, Ministra e Brendshme, Ministria e Financave dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, për sa u përket procedurave të licencimit. E drejta për të dhënë mundësi nuk është e Ministrisë së Mbrojtjes, por është me vendim, pra, liberalizimin e bën me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në qoftë se ne flasim sot për eksport, zoti Koçi, flasim thjesht për eksport të atij që quhet "municioni i tepërt nga e kaluara", por duhet të kemi në konsideratë edhe zhvillimet perspektive. Shqipëria, në një mënyrë apo në një tjetër, ose mund të tentojë, me iniciativa private, prodhimin e armatimit, po e konsideroj vetëm të lehtë, ose të krijimit të faciliteteve të infrastrukturës për kompani të huaja, të cilat janë private, që merren me këtë fushë dhe me këtë industri dhe do të ishte jologjike që ne të mos lejonim veprimtari të tilla të bashkëpunimit dypalësh: në rastin shtetëror, që kalojnë nëpërmjet ndërmarrjes së MEIKO-s, por edhe të iniciativave private, siç kanë të gjitha vendet, edhe vende të rajonit Petro Koçi: Sigurisht që, në parim, është normale që të liberalizohet edhe kjo fushë, por unë mendoj se në stadin aktual të fuqisë që ka shteti për ta administruar në përgjithësi vendin, për të administruar ligjin, kur ka akoma një diferencë të madhe midis përmbajtjes së ligjit dhe zbatueshmërisë së tij në terren, jo vetëm në këtë fushë, por në përgjithësi në Shqipëri, unë mendoj që ne do të rriskojmë shumë nëse do ta liberalizojmë këtë pjesë. Ajo që unë jam skeptik, është pikërisht kjo: fuqia ekonomike që do të krijohet, mundet t'i shpëtojë këtij kontrolli, siç kanë arritur t'i shpëtojnë kontrollit edhe disa fusha të tjetra që praktikisht, për arsye të lirisë së tregut, etj., etj.,Sabit Brokaj: ...Ne e dimë, që nuk kontrollojmë trafiqet as edhe kaq për qind, kurse këtë, prodhimin, eksportin, importin, tranzitin i kontrolluakemi! Pra, ky konflikt logjik neve na jep të drejtën që të kemi rezerva dhe ta kundërshtojmë.Fatmir Mediu: Duke kuptuar shqetësimin, do të përpiqem që këto pesë muaj të kemi ato vendime që janë në interes të implementimit të ligjit, dhe ky është lënë detyrim në ligj.Skënder Gjinushi: Së pari, ne jemi kundër procedurës që po ndiqet për këtë projektligj, i cili nuk ka qenë i parashikuar as në kalendar dhe urgjenca e shqyrtimit nuk justifikohet, edhe për faktin që vetë projektligji mbyllet me artikullin ku përcaktohet që projektligji hyn në fuqi 5 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë se është koha e mjaftueshme për t'i dhënë Kuvendit kohën për të debatuar për të. Pra, urgjenca është e pajustifikuar, sepse Qeveria që e ka sjellë, edhe sikur të lihet 4 muaj hyrja në fuqi, përsëri e ka kohën të nxjerrë aktet nënligjore që do të shoqërojnë këtë projektligj. Tani përsa i takon përmbajtjes. Ne jemi kundër trafikut të armëve dhe liberalizimit, apo edhe çdo lloj ndryshimi që nxit këtë trafik. Sigurisht, ne duhet të bëjmë ligje të standardeve në formë, por duhet të garantojmë që kjo formë të mos bëhet shkak apo shteg për të zhvilluar trafiqe të ndryshme. Ka shumë standarde të BE-së, që ne nuk kemi ndërmend që t'i arrijmë aq shpjet. Ka vende të BE-së që kanë liberalizuar edhe hashashin, apo edhe prostitucionin, kështu që Shqipëria duhet të jetë më e kujdesshme në liberalizime. Në rast se ky liberalizim i tregtisë së armëve do të binte në duart e mafies, kuptohet se sa rrezik do të ishte. Nga pohimet e fundit, Kryeministri pranon se ka mafie, edhe ministrat mbetën duke bërë akuza dhe kundërakuza ndaj të gjitha institucioneve kryesore, dhe në një vend kur situata është e tillë, aq më tepër situata rajonale, liberalizimet e parakohshme në tregtinë e armëve janë të rrezikshme. Nuk është e vërtetë që legjislacioni aktual e lejon këtë gjë, sepse nuk ka ligj që të rregullojë një marrëdhënie të tillë apo t'i mundësojë qeverisë dhënie licencash për shoqëri private, për tregti armësh. Nuk e shohim me optimizëm, nuk e shohim si arritje standardi, nuk e shohim si defekt që eksport-importi i armëve të mbetet monopol i shtetit dhe të mos jepen licenca private, aq më tepër kur ato janë të paracaktuara, janë të paramenduara dhe, sigurisht, që do të ishin një armë e fuqishme në mafien qeveritare.Pandeli Majko: Ne mendojmë se tendenca për të kaluar në procedurë të përshpejtuar një projektligj të një natyre të tillë, sigurisht lë vend për shqetësim. Bashkohem me shqetësimin e kolegëve, që kërkuan më shumë kohë për të studiuar projektligjin. Në parim, nuk jemi kundër që të ketë një kontroll shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit, aq më tepër kur dihet....

(I drejtohet z.Mediu) Z.Mediu, nuk keni qenë Ministër i Mbrojtjes, kur në këtë vend ,firmat piramidale shisnin armë.Fatmir Mediu: Z.Majko, e ke shkruar ti. Ka qenë pjesë e grupit tënd për liberalizimin. Pandeli Majko: Mendoj se Parlamenti ka nevojë që të informohet dhe ta kolaudojë situatën e vet. Në këtë vend, kur kanë kaluar ligje të karakterit të rëndësishëm, edhe për një nen është shtyrë 24 orë ligji. Në këtë pikëpamje, mendoj se me këtë rregull normal që ndiqet në Parlament, kërkohet më shumë informacion; ta shikojnë komisionet se çfarë ka. Problemi është që Kuvendi kërkon informacion, nuk mund të bëhet ligji në Kuvend me 3-4 veta që kanë informacion; ta shikojnë komisionet se çfarë ka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›