Xhafaj: Rama do të kandidojë në Tiranë
Kandidatët e Tiranës nuk kanë ku të regjistrohen. Kodi aktual kur është ndryshuar është parë në pjesën e zgjedhjeve parlamentare. Kur flitet për zgjedhje vendore, ky Kod ka probleme.
Sekretari socialist për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, konfirmon se në dijeninë e tij Edi Rama është kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës. “Në dijeninë time do të kandidojë! Natyrisht që duhet të mblidhen edhe forumet për të patur diçka zyrtare”, u shpreh Xhafaj. Sipas tij, në procesin e përzgjedhjes, anëtarësia e kryeqytetit ka propozuar në masë emrin e Ramës, duke kërkuar rikandidimin e tij, ndërsa zbuloi se ndër emrat e propozuar ishte edhe deputeti Pandeli Majko, Blendi Klosi apo edhe Eduard Shalsi. “Të gjithë kandidatët e propozuar janë hedhur në sondazhe. Unë jam krenar që secili prej këtyre ishin me nga 10-12 pikë përpara rivalit të shpallur nga Partia Demokratike”, u shpreh Xhafaj. Zyrtari socialist deklaroi se opozita po kërkon tanimë disa garanci qoftë edhe minimale, por të domosdoshme për të garantuar bazat, pasi tanimë nuk flitet për një proces normal zgjedhor. Duke folur për listat e zgjedhësve, Xhafaj theksoi se është e domosdoshme transparenca e tyre. “Në datën 8 mars mbyllej procesi i ndërhyrjeve dhe ne kemi kërkuar të na vihen në dispozicion. Ato nuk na janë vënë dhe jo rastësisht, pasi është një nga instrumentet mbi të cilat PD ka llogaritur manipulimin. Së pari, mbështetet te listat, që do të thotë se në ato zona ku PS është fituese, të tërhiqen zgjedhës nga zonat e PD. P.sh. marrim zgjedhës nga një zonë dhe i sjellim në Tiranë. Po bëhet në njësitë që ka mundësi ta bëjë. P.sh. siç është bërë publike, kjo po bëhet në njësinë nr.10, ku drejton PD, po bëhet në njësinë nr.11 ku drejton PD”, u shpreh ai. Në vlerësimin e Xhafajt, kjo është një nga instrumentet e manipulimit të mundshëm. “Identifikimi i zgjedhësve është një tjetër kërkesë jona. Pasaporta e re dhe karta e identitetit kanë të dhënat e tyre të qarta, por me sy të lirë ato nuk dallohen. Kërkojmë një pajisje identifikuese që vërteton që ky dokument është i vlefshëm dhe se ky person është real. Kërkojmë të identifikohet zgjedhësi për të kuptuar kush ka votuar dhe ku ka votuar. P.sh. për Ilirin në Kanada të mos votojë Iliri në Tiranë. Kemi të dhëna se ky është një shteg tjetër i cili mund të shërbejë si mundësi manipulimi”, u shpreh Xhafaj. Duke folur për KQZ-në, ai nënvizoi se përbërja e saj duhet të ishte ndryshe nga aktualja, pasi kjo nuk është në përputhje me ligjin. “Duhet të ishte 2 anëtarë PS, 2 PD, 1 PBDNJ dhe 1 LSI. Ka të drejtën sot PBDNJ që ta kërkojë anëtarin e saj. Tjetra ka të bëjë me anëtarin e shtatë të KQZ-së, që është ndërtuar për t’i dhënë shumicën institucionit, por të kontrolluar ama. Ky institucion është bërë i papranueshëm për palët. Vendimet që do dalin nuk janë të pranueshme për palët dhe qeveria që në nisje të këtij procesi ka pranuar këtë”, konstatoi Xhafaj. Duke folur për zgjedhjet, ai sqaroi se, “nëse ne konstatojmë se po hyjmë në një lojë ku topin e ka në dorë pala tjetër dhe kërkon të bëjë gol me dorë apo të na ndërhyjë e të na thyejë këmbët, kjo është çështje tjetër. Kemi të bëjmë me kushtet minimale për të patur një proces me standarde. Moszbatimi i këtyre çështjeve e bën procesin të diskutueshëm. Më 8 Maj do të flisnim më pas për Shqipërinë e ’96-s të Sali Berishës”. Nëse s’do ketë rregulla loje, tha ai, do ndryshojë qëndrimi ynë, pasi nuk i lejojmë fitoren në tavolinë Sali Berishës përmes futjes së duarve nën tavolinë.