Glover, kreu i vëzhguesve takon Ramën në selinë e PS
Ambasadorja e ODIHR në Tiranë, Audrey Glover, zhvilloi dje paradite një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Takimi i cili është zhvilluar në selinë rozë ka zgjatur 90 minuta dhe zhvillohet vetëm pak orë para se Komisioni Qendror Zgjedhor të nisë shqyrtimin e ankesës së socialistëve për rinumërimin e votave për qarkun e Fierit. Kryetari i PS-së dhe Ambasadorja Glover nuk kanë dhënë asnjë prononcim për mediat pas takimit, por mësohet nga burime brenda selisë rozë se mes ambasadores Glover dhe kryetarit Rama është diskutuar për situatën paszgjedhore. Mësohet se mes tyre është diskutuar edhe për ankimimin e saj në KQZ për procesin e rinumërimit të 9 kutive të Fierit. Mësohet se ambasadorja Glover ka shprehur shqetësim me deklaratat e socialistëve se nuk do njohin zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa misioni pak javë më vonë do të publikojë raportin përfundimtar për zgjedhjet në Shqipëri.