Xhafaj: Ristani, peng i urdhrave politikë të Berishës
Partia Socialiste vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e saj dhe të mbajë qëndrime të ashpra tani në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Socialistët akuzojnë kreu e KQZ, Arben Ristani si një figurë me problem të shumta në të kaluarën dhe që po zbaton me rigorozitet urdhrat e Berishës në vendimmarrjen e KQZ. Pas kreu socialist, tani është Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, që adresoi akuza të ashpra ndaj kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani. Xhafaj tha se kryetarit i KQZ është peng i problemeve të tij në të kaluarën për hir të të cilave ai tashmë është tërësisht i varur politikisht nga kryeministri Berisha.
Nuk është faji i Partisë Socialiste që në jetën e tij Arben Ristani ka gëlltitur një lugë çorbë të prishur dhe është duke e vjellë atë lugë çorbë. Nuk është faji i PS që Ristani ka shumë probleme për të cilat mbahet peng nga Sali Berisha dhe për të cilat është duke u keqpërdorur politikisht gjatë këtij procesi zgjedhor. Ndaj i kërkoj publikisht që të respektoj ligjin, të jetë shumë i kujdesshëm me marrëdhëniet me PS-në dhe përfaqësuesit e saj ligjor, një marrëdhënie e cila duhet të ndërtohet tërësisht në bazë të ligjit e institucionale. Nuk e konsiderojmë normale që të merremi me jetën e individëve të caktuar me biografinë e individëve të caktuar, me biografinë e individëve të caktuar por detyrohem që një gjë të tillë ta bëj me Arben Ristanin nëse do të vazhdojnë kështu, u shpreh Xhafa. Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, njëherësh një prej njerëzve që punuan për kodin e ri zgjedhor pohoi se ligji zgjedhor nuk i përjashton defektet lidhur me përbërjen e KQZ. Ky është një komision ku ka diktuar haptazi shumica politike vendimmarrëse dhe arbitrariteti dhe paaftësia e administrimit të këtij procesi nga kjo shumicë dhe kryetari i saj zoti Ristani. Mund të ketë defekte të ligjit, por kjo nuk është më shumë rrjedhojë e defekteve të ligjit të Kodit Zgjedhor, por është rrjedhojë e faktit të qasjes negativiste që kjo maxhorancë ka ndaj procesit zgjedhor. Pra, përpjekjes për të pasur një mundësi kontrolli arbitrarë të dhunshëm jo ligjorë, pohoi ndër të tjera Xhafaj. Partia Socialiste, ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dy ankimet lidhur me numërimin e votave në qarkun e Fierit ku nuk janë përfshirë dy kutitë e pa numëruara të KZAZ 20, si dhe për qarkun e Beratit ku mbi 2000 fletë votimi rezultuan të pavlefshme. PS deklarohet e vendosur për të ndërmarrë çdo veprim ligjor nëse asaj nuk i jepen mandatet që shqiptarët kanë përcaktuar me votën e tyre të dielën e 28 qershorit, e ku shkaktari i bllokimit sipas PS është shumica politike vendimmarrëse në KQZ.