E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: S’kemi ç’të humbim, do të tentojmë kualifikimin

 

ADRIATIK BALLA

Thuajse të gjithë lojtarët e Tiranës kanë shprehur bindjen e tyre të plotë se skuadra mund t’ia dalë mbanë të fitojë kundër Stabaekut e kësisoj, të kalojë në turin tjetër të Champions-it. Një ndër ta është dhe sulmuesi Daniel Xhafaj, një titullar i padiskutuar në formacionin bardheblu, që këtë herë ka edhe përgjegjësi më shumë në repartin e sulmit nisur nga nevoja që ka skuadra për të shënuar, gjë që diktohet nga rezultati i ndeshjes së parë. Gjithsesi Xhafaj ka theksuar se kjo përballje e dytë me norvegjezët do të jetë shumë e vështirë, por Tirana nuk do të heqë dorë nga ambicia e saj për të kaluar në turin tjetër. Sipas tij, skuadra nuk ka më çfarë të humbasë, kështu që do të luajë të gjitha kartat e saj për të arritur qëllimin final. “Në përballjen e parë të zhvilluar në ‘Qemal Stafa’ ne treguam se nuk jemi inferiorë ndaj tyre, madje në pjesën e dytë mund të kishim shënuar më shumë se një gol dhe ta kishim fituar ndeshjen, një rezultat që mund të na mbante në pozita më komode se sa 1-1. Gjithsesi kualifikimi është i hapur dhe duhen të luhen edhe këto 90 minuta që të vendoset cila skuadër kalon në turin tjetër. Unë gjykoj se mundësitë e Tiranës janë për më tepër dhe besoj se do ta tregojmë edhe në këtë duel të dytë se ne meritojmë më tepër. Sigurisht që Stabaeku është më i favorizuar, pasi luan në fushën e tij, përballë tifozëve të vet dhe, mbi të gjitha, është fizikisht disi më lart se ne. Por kjo s’do të thotë se do ta kemi të pamundur të arrijmë rezultatin e dëshiruar. Futbolli është i bukur, pasi dhuron surpriza. Dhe ne do të tentojmë të surprizojmë, duke besuar në kualifikim”, tha Xhafaj, që edhe në këtë sfidë do të jetë sulmuesi kryesori ekipit dhe padyshim lojtari që mund të zgjidhë ndeshjen. Edhe stafi ka besim te aftësitë e vlonjatit dhe gjykon se po të shërbehet mirë dhe në momentin e duhur, Xhafaj mund t’i sjellë Tiranës gëzimin e munguar nga ndeshja e parë dhe realisht mund ta kualifikojë atë në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. Daniel Xhafaj ka tre sezone që luan për Tiranën, ka marrë pjesë sezonin e kaluar në Champions League me Dinamon, teksa ka shënuar golin e vetëm të bluve në ndeshjen e kthimit me boshnjakët e Modricës. Përvoja e vlonjatit është e madhe për t’i dhënë ndihmën Tiranës që të kalojë në turin e dytë të Ligës së Kampioneve. “Unë kam besim se me forcat që kemi ne, pavarësisht fortësisë së kundërshtarit, do të mund ta kalojmë Stabaekun. Te ne duhet të kenë të gjithë besim”, ka përfunduar nga Oslo, sulmuesi shtatlart bardheblu, Daniel Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›