KQZ rrëzon PDI për Fierin,mandatet nuk ndryshojnë
ADI SHKEMBI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën e Partisë për Drejtësi dhe Integrim për të shpallur të pavlefshëm votimin në katër qendra në Qarkun e Fierit. Në votimin për dy qendra të Libofshës katër anëtarët e djathtë të komisionit votuan pro kësaj kërkese, ndërsa tre anëtarët e majtë votuan kundër. Kurse në dy votime, kreu i KQZ-së, Ristani bashkoi votat me anëtarët e majtë. Sipas Kodit Zgjedhor kërkesa për pavlefshmëri kërkon pesë vota pro, çka vlerëson si të rrëzuar për shkak të mosarritjes së kuorumit kërkesën e partisë së komunitetit çam.
Debati
Pasi kishte votuar të merrte në shqyrtim këtë kërkesë, KQZ-ja debatoi për rreth 120 minuta mbi argumentet e paraqitura nga PDI për katër qendra votimi (3185, 3188 dhe 3196 në Komunën Libofshë dhe 3006 në Bashkinë Fier). Përfaqësuesi i kësaj partie në Komision, Shkëlqim Sula renditi faktet që sipas tij çojnë në pavlefshmëri dhe mosmarrje në konsideratë të rezultatit të votimit në këto qendra. “KZAZ-ja 20 kishte vendosur të mos përfshinte në rezultatin përfundimtar shifrat e dala nga QV 3185 dhe QV 3188. Këto kuti janë numëruar nga anëtarët e PS-së, ndërkohë që KZAZ kishte vendosur, që ato të mos hapeshin për shkak të probleme që ishin vërejtur. Përsa i përket QV 3196, KQZ e përfshiu në tabelën përmbledhëse, pavarësisht se këto fletë ishin me kontrafletë brenda. Ndërsa në QV 3006 pjesa më e madhe e fletëve ishin të grisura, ku mungon stema e Republikës dhe e KQZ-së”, tha përfaqësuesi i PDI-së në KQZ. Kërkesa e kësaj force politike u mbështet edhe nga përfaqësuesit e PD-së, Njazi Kosovrasti dhe Oerd Bylykbashi, sipas të cilëve ajo është brenda afateve dhe e bazuar në ligj. Ndërsa përfaqësuesit e majtë e vlerësuan kërkesën jashtë afatit ligjor. “Ne duhet të shqyrtojmë ankimimin e PDI-së, jo faktin se ku shkon mandati. Ne thamë edhe herën e kaluar që kjo kërkesë është jashtë afatit ligjor. I vetmi vendim që duhej ankimuar ishte nr. 511 i datës 7 korrik, për tabelën përfundimtare të Fierit”, tha përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj. Nga ana tjetër kreu i KQZ-së, Arben Ristani theksoi se kërkesa e PDI-së është brenda afatit, por, sipas tij jo të gjitha pretendimet e kësaj force janë të bazuara në ligj. “Për sa i përket QV-ve 3185 dhe 3188 KZAZ vendosi të mos i numërojë dhe ato janë numëruar, çka tregon se ligji është shkelur rëndë. Është e mjaftueshme kjo për të kaluar në pavlefshmëri. Për QV 3196 kërkesa është e pabazuar në prova. Ndërsa për sa i përket QV-së 3006 që kishte fletë votimi të grisura, unë e kam thënë edhe më parë se veprimet e administratorëve s’mund të bëjnë të pavlefshëm votimin. Nuk mund të aludojmë se kanë ardhur fletët e votimit nga qendra të tjera, kur nuk kemi prova. Kërkesa për këtë QV është e pabazuar në prova”, theksoi Ristani.
Votimi
Pas debateve mes përfaqësuesve të majtë dhe të djathtë, kreu i KQZ-së, Ristani hodhi në votim kërkesën e PDI-së. Fillimisht u votua kërkesa për pavlefshmëri në dy qendra votimi, 3185 dhe 3186, ku katër përfaqësuesit e djathtë në Komision votuan pro shpalljes së pavlefshme dhe tre përfaqësuesit e majtë votuan kundër. Për qendrën 3196, po në Komunën Libofshë, Ristani e Zguri bashkuan votat me përfaqësuesit e majtë dhe vetëm Shtjefni e Osmanaj votuan pro kërkesës. Ndërsa për qendrën 3006 në Fier, Ristani dhe tre përfaqësuesit e majtë votuan kundër. Në përfundim, kërkesa e PDI-së u rrëzua për shkak të mosarritjes së kuorumit të nevojshëm.
Rrëzohet edhe kërkesa e Subashit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje një kërkesë të nënkryetares, Dëshira Subashi për të thirrur në mbledhjen e këtij komisioni anëtarët e KZAZ-së 20, lidhur me pretendimet e Partisë për Drejtësi dhe Integrim. “Propozoj të administrojmë provat që ka sjellë ankuesi, si dhe kërkoj që në bazë të nenit 160 të Kodit Zgjedhor të thërrasim KZAZ-në 20 dhe të pyeten anëtarët për parregullsitë. T’i pyesim gjithashtu edhe për fletët e votimit në QV-në 3006", tha Subashi. Por kjo kërkesë u hodh poshtë nga përfaqësuesit e djathtë në komision, të cilët e panë si të panevojshme thirrjen e komisionerëve. KQZ e rrëzoi kërkesën e Subashit me katër vota kundër dhe tre pro.