E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, nevojë urgjente të përmirësojë ecurinë në lidhje me procesin e integrimit”

04-10-2011 / Gazeta 55

Ambasadorja britanike Fiona McIlwham

Ambasadorja britanike, Fiona McIlwham, theksoi dje nevojën urgjente për të përmirësuar ecurinë e Shqipërisë në lidhje me procesin e integrimit në BE, si dhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për reformat e nevojshme, duke përfshirë këtu projekte për Parlamentin dhe sektorin e Drejtësisë.
Pas takimit të zhvilluar me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, ambasadorja McIlwham tha se “ekziston një mundësi tani, ndërkohë që Komisioni po përfundon raportin e progresit të Shqipërisë dhe para se shtetet anëtare ta shohin raportin në Dhjetor, që udhëheqësit politikë shqiptarë të ndryshojnë vlerësimin e BE-së”.
Sipas saj, Mbretëria e Bashkuar, si dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë, ka qenë shumë e qartë se dëshiron ta shohë Shqipërinë më afër BE-së.
Sipas saj, të fajësosh njëri-tjetrin nuk do të ndryshojë realitetin apo vlerësimin e BE-së për 2011-ën.
“Një dialog  konstruktiv, ndërpartiak për reformat e BE-së dhe një përparim i menjëhershëm në disa nisma apo ligje për reforma kyçe parlamentare, elektorale apo për drejtësinë, do të rrisnin perspektivën e Shqipërisë në BE. Ka disa ide të rëndësishme në tryezë. Unë shpresoj se politikanët e Shqipërisë do të shfrytëzojnë mundësinë dhe do të angazhohen. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë këto përpjekje”, përfundoi ambasadorja britanike Fiona McIlwham.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›