“Shqipëria, partner i sigurt i BE-së në luftën kundër krimit të organizuar”

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani në Forumin Ministerial BE-Ballkani Perëndimor
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u shpreh dje se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë drejt zonës “Schengen” dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme janë ndër fushat prioritare për qeverinë shqiptare. Ministri i Brendshëm foli gjatë punimeve të Forumit Ministerial BE-Ballkani Perëndimor për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë, organizuar nga presidenca polake e BE-së në Ohër, Maqedoni.
Gjatë fjalës së tij, Nishani renditi disa nga sukseset dhe masat që qeveria shqiptare ka marrë në kuadër të informimit të qytetarëve shqiptarë lidhur me liberalizimin e vizave, si dhe ato kundër krimit të organizuar.
“Procesi i liberalizimit te vizave nuk është përdorur nga shqiptaret si një mundësi për të ‘ikur’ nga Shqipëria, por si një mundësi për të lëvizur pa viza sipas nevojës dhe preferencave”, theksoi Nishani.
Kjo sipas ministrit, tregon punën e mirë të bërë deri tani nëpërmjet fushatave informuese si dhe seriozitetin e shtetasve shqiptarë për të mos i shpërdoruar mundësitë që ju ka ofruar ky proces