“Shqipëria do ketë për herë të parë Pallatin e Drejtësisë”
Ndërtimi do nisë në muajt e parë të 2012-ës
Muajt e parë të vitit 2012-të do të shënojnë fillimin e punimeve për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, një projekt ambicioz i qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian për modernizimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë. Kjo u konfirmua dje nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë inaugurimit të punimeve për ndërtimin e Gjykatës së Pogradecit. Duke e vënë theksin te rëndësia që ka modernizimi i infrastrukturës për pavarësinë e gjyqësorit dhe rritjen e shërbimit në gjykata, ministri Halimi tha se ndërtimi i kësaj vepre do të shënojë një faqe të re për Drejtësinë shqiptare
Ndërtimi i Gjykatës së Pogradecit, është një investim i qeverisë shqiptare, një projekt që sipas ministrit të Drejtësisë do t’i shërbejë rritjes së efikasitete të proceseve gjyqësore dhe konsolidimit të mëtejshëm të sistemit të drejtësisë. Në fjalën e tij, mbajtur para autoriteteve lokale, gjyqtarëve dhe prokurorëve të zonës ministri Halimi e konsideroi këtë investimin “si një mundësi për të prezantuar përpjekjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë Shqiptare të orientuara për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të sundimit të ligjit në sfidat e fazës së zhvillimit që atë e presin, ku një rol kyç luan plotësimi i rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Evropian për Shqipërinë”.