E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria po punon me vendosmëri për projektin e integrimit të saj në BE”

04-10-2011 / Gazeta 55

Ribashkimi i Gjermanisë, Berisha letër Merkel

Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar dje një mesazh urimi Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, për 3 Tetorin, ditën e bashkimit të Gjermanisë.
Në këtë mesazh, kryeministri shprehet ka kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e 3 Tetorit, ditës së madhe të ribashkimit të Gjermanisë, t’i përcjellë në emrin tij e të qeverisë shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për zhvillim të mëtejshëm, begati e lumturi vendit dhe kombit të saj. Në këtë kontekst, Berisha shfrytëzoi për të shprehur mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer të Gjermanisë, si në drejtim të integrimit euroatlantik, ashtu edhe në bashkëpunimin dypalësh i cili ka njohur gjatë kësaj periudhe lartësi të papara ndonjëherë më parë.
“3 tetori i vitit 1990 shënon një ngjarje madhështore historike jo vetëm për kombin gjerman, por edhe për Kontinentin Europian e mbarë njerëzimin për mesazhet e paçmuara të lirisë e të vlerave të saj që kjo ngjarje përçoi në mendjen dhe zemrën e çdo qytetari, familjeje e kombi, që kishin përjetuar pashpirtësinë komuniste dhe peshën e rëndë e barbare të izolimit të perdes së hekurt dhe që tashmë po jetonin ëndrrën më të bukur për ndryshim, liri e dinjitet njerëzor. Sot të gjithë ne miqtë e kombit Tuaj ndihemi të lumtur që Republika Federale e Gjermanisë, në gjirin e familjes së madhe europiane, vijon të mbetet shembull frymëzimi për demokracinë e saj, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në thellimin e zgjerimin e projektit më ndriçues që rajoni ka njohur, integrimin europian, si dhe për promovimin e paqes e të të drejtave të njeriut në çdo skaj të planetit tonë”, shkruan Berisha.
Duke përfunduar se shqiptarët janë krenarë që, nën shembullin e kombit mik gjerman, rrëzuan në fillim të viteve 1990 diktaturën hoxhiste, më të egrën në Europë, kanë ndërtuar sot një demokraci funksionale të bazuar në ekonominë e tregut të lirë dhe po punojnë me vendosmëri për projektin madhor kombëtar të anëtarësimit në BE.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›