E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferaj Do ta kthejme Bashkine e Durresit ne shtepine e qytetarit

Kandidati për kryetar Bashkie në qytetin e Durrësit i “Aleancës për Qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj, zhvilloi sot takime me banorë të lagjes nr. 15 në Spitallë dhe lagjes nr. 11 pranë Muzeut të Dëshmorëve.

Në Spitallë, në zonën e njohur ndryshe si “Tri Çezmat”, Xhaferaj u njoh më nga afër me problemet që shqetësonin qytetarët e kësaj periferie dhe premtoi se zgjidhja e tyre do të ishte një nga prioritetet e programit të tij.

Sipas tij, furnizimi me ujë të pijshëm dhe ndërhyrja në sistemin e kanalizimeve, ishin dy nga problemet kryesore të zonës së Spitallës, të cilat do të kishin vëmendjen e munguar në katër vitet e qeverisjes vendore nga socialistët.

“Të na vijë turp që kemi pasur për kryetar bashkie në qytetin tonë një njeri, i cili të vetmen gjë që ka bërë në këta katër vjet ka qenë betonizimi i çdo hapësire të gjelbër dhe shtimin e buxhetit personal nga 3 milionë dollarë që kishte në vitin 2007, në 12 milionë dollarë në vitin 2010”, është shprehur Xhaferaj.

Ndërkaq, ai theksoi se e vetmja arsye për të cilën ka hequr dorë nga detyra e rëndësishme si ministër dhe ka qenë fakti se ishte i bindur që ky qytet meriton të bëhet më shumë për të, ndaj edhe ai do të ishte i gatshëm që ta kthente Bashkinë e Durrësit, në shtëpinë e qytetarit, në funksion të qytetarit.

Xhaferaj tha se detyra e tij e vërtetë, nëse do të përzgjidhej në krye të Bashkisë së Durrësit, do fillonte pas zgjedhjeve të 8 majit, ku prioritet, veç sistemimit të ujësjellës-kanalizimeve për këtë zone, do të merrnin edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, hapja e vendeve të reja të punës me ngritjen e Kampusit Universitar, përkrahja sociale për familjet në nevojë, krijimi i hapësirave të gjelbra dhe çlodhëse për banorët si edhe pastrimi i zonës nga mbetjet urbane, i cili njëkohësisht është një nga problemet më madhore të Spitallës.

Nga ana e tyre, banorët e duke i treguar kandidatit Xhaferaj shqetësimet e tyre, u shprehen të revoltuar ndaj indiferencës së drejtuesve aktuale të Bashkisë së Durrësit dhe e cilësuan kryetarin aktual, Vangjush Dakon si te papërgjegjshëm.

Dako, sipas banoreve, të vetmen gjë që ka bërë në katër vjet, ka qene shitja e rrugëve të kësaj zone.

“Indiferenca e Vangjush Dakos arrin deri aty sa nuk të pret në zyrë për të të dëgjuar një hall edhe pse kam katër vjet që trokas në derën e tij. Përveç kësaj nuk të thotë as “mirëmëngjes”, apo “mirëmbrëma”, kur e përshëndet në rrugë”, - u shpreh një nga banoret e pranishëm në takimin me kandidatin Xhaferaj.

Më pas, Xhaferaj ka vijuar takimet e tij me banorët e lagjes nr. 11 të qytetit të Durrësit, ku veç përshëndetjeve të përzemërta, qytetarët e kësaj lagjeje i kanë shprehur kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” për kreun e Bashkinë e Durrësit, mbështetjen e tyre maksimale në zgjedhjet e 8 Majit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›