E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferaj: Durrësi im dhe qyteti i betonizuar i Vangjush Dakos

SHKRUAN: Alfred Lela 03-05-2011 11:29

Ngjan si një kthim mbrapa: të lësh postin e ministrit për ta këmbyer, jo me postin e kryetarit të Bashkisë, por me aventurën e kandidatit për kryetar bashkie.

Unë nuk mendoj se është kthim prapa dhe për më tepër po flasim për dy angazhime që mbartin detyrime, përgjegjësi dhe sensibilitete të ndryshme. Drejtimi i një qyteti, i cili është qyteti ku unë kam lindur dhe vazhdoj të jetoj, së bashku me familjen, përbën një sfidë, dhe sfidat duhen kapërcyer. Për më tepër, unë nuk e konsideroj fushatën si një aventurë, por si një moment kur ballafaqohesh me njerëzit për të marrë besimin e tyre. E shkuara ime me qytetin, mënyra sesi jam përcjellë dhe kam ndërtuar marrëdhëniet me qytetarët durrsakë, si edhe eksperienca ime në legjislativin dhe nivelin më të lartë të ekzekutivit, bëhen bashkë dhe shpjegojnë qartë se nuk kemi të bëjmë aspak me aventurë, por me një dëshirë, përkushtim dhe përgjegjësi për të kontribuar për Durrësin, që, sikurse shprehet në sloganin tim qendror, është një qytet që meriton më shumë.

Durrësi për shkak të plazhit mbingarkohet gjatë verës. A keni projekte që prekin sa akomodimin e turistëve, argëtimin e tyre, rregullimin e trafikut, instalimin e atyre që konsiderohen si ruajtës të plazhit (baywatch) e masa të tjera që anojnë nga siguria për të mundësuar që Durrësi të mbetet destinacion të cilit, ata që kanë qenë një vit, të dëshirojnë t’i rikthehen...?

Plazhi i Durrësit është më i madhi në vend dhe pret numrin më të madh të pushuesve. Por në 20 vitet e fundit ai është zhvilluar në mënyrë kaotike, aq sa tashmë, fatkeqësisht, jo gjithçka mund të riparohet. Ne do të ndërhyjmë me projekte konkrete për të përmirësuar shërbimin, me qëllim që, përveç turizmit familjar, Plazhi i Durrësit të ketë mundësi të ofrojë edhe kushte për një turizëm të nivelit të mesëm. Por, për të qenë të sinqertë, më tepër se kaq është e pamundur. Përgjatë plazhit, në afërsi të linjës hekurudhore, kalon kanali i madh kullues i ujërave të bardha, i cili është kanal i hapur. Aty do të ndërhyhet për ta shndërruar atë në kanal të mbuluar dhe mbi të do të ndërtojmë një rrugë paralele me rrugën ekzistuese të Plazhit. Kjo do ta çlirojë trafikun. Njëkohësisht, zbatimi i projektit me vlerë 10 milionë euro nga Banka Botërore dhe Komisioni Europian për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, do të rrisë nivelin e pastërtisë dhe do të eliminojë plotësisht derdhjen e ujërave të zeza në det. Në Plazh do të hapen disa qendra informacioni, të cilat do t’u japin shërbim si turistëve, ashtu edhe banorëve të zonës që kanë hapësira të lira banimi dhe duan t’i japin me qira. Sa i përket sigurisë, do të bashkëpunohet ngushtë me Policinë Kufitare për të patrulluar detin, ndërkohë që në rërë do të instalojmë kulla vrojtimi, për pajisjen e të cilave me njerëz do të bashkëpunohet me klubet e notit në Durrës. Garantimi i plazheve publike, cilësia e prezantimit të tyre dhe promocioni i bashkisë për të zgjatur sezonin në plazh përtej periudhës dymujore korrik-gusht do të përbëjnë angazhime të bashkisë për të mundësuar një turizëm që nuk mund të etiketohet dhe nuk do të jetë elitar, por detyrimisht do të ketë një cilësi të përmirësuar.

Shqiptarët e Kosovës përbëjnë fluksin më të madh të turistëve gjatë verës në Durrës. A ka një projekt në platformën tuaj, që shkon përtej klisheve patriotike, por që synon realisht që ata të ndihen si në shtëpinë e tyre?

Pikë së pari, kosovarët në Durrës janë në shtëpinë e tyre. Së dyti, e di që flitet shumë për turizëm patriotik, por, gjithsesi, kushtet që ofrohen duhet të jenë të përshtatshme. Përndryshe, ata mund të mos kthehen vitin tjetër. Prandaj, strategjia jonë është të ndërtojmë një marrëdhënie reciprokisht frytdhënëse. Kosovarët nuk duhet të ndihen të detyruar të vijnë në Durrës, ne duam që ata të vijnë me dëshirë e të kënaqen. Ne do të ndërhyjmë në Plazh për të përmirësuar infrastrukturën, do të shtojmë sipërfaqet e gjelbëruara, në Plazh do të hapim edhe një kinema verore. Të gjitha këto do t’ua bëjmë të ditur edhe kosovarëve përmes zyrave të informacionit që do të hapim në qytetet kryesore të Kosovës.

A mund të na e zbërtheni konceptin mbi të cilin është ngritur platforma juaj elektorale, koncepti 3T?

Secili komunitet, qytet, apo edhe shtet, përcakton drejtimet e zhvillimit nisur nga burimet dhe potencialet e veta. Pikërisht për këtë, turizmi, tregtia, dhe transporti janë tre drejtimet e zhvillimit të Durrësit, sepse qyteti ynë këtu i ka burimet dhe potencialet: Durrësi është qyteti me plazhin më të madh të vendit dhe me pasuri të rralla të trashëgimisë kulturore-historike. Në Durrës gjendet porti më i madh i vendit, ku zhvillohet pjesa dërrmuese e vëllimit tregtar; Durrësi është nyje e transportit rrugor, hekurudhor dhe detar. Duke parë këto tre drejtime zhvillimi, platforma ime elektorale është ndërtuar për t’i nxitur ato, për të arritur nivele më të larta zhvillimi në të tria fushat.

Deti, sa ç’është pasuri dhe identitet i Durrësit, është kthyer edhe në problem të tij, për shkak të problemeve të shumta të akumuluara gjatë këtyre 20 viteve post-komunizëm. Cilat janë projektet tuaja që Durrësit t’i kthehet deti?

Zona e Plazhit, gjatë 20 viteve të fundit, është zhvilluar shumë, por në mënyrë kaotike. Aq sa sot, po të udhëtosh me makinë përgjatë rrugës paralel me plazhin, nuk e sheh detin. Fatkeqësisht, këtë nuk mund ta ndryshojmë. Por ne do të ruajmë me çdo kusht pjesën tjetër të bregdetit. Shëtitorja bregdetare do të rivitalizohet, por deti do të mbetet elementi kryesor i saj. Ndërkohë, ndërtimi i rrugës Currila–Kallm, e cila kalon rrëzë kodrave, do të bëjë atë pjesë të detit të prekshëm për të gjithë. Këtu dua të theksoj se zhvillimi i zonës Currila–Kallm nuk do të ketë kurrsesi natyrën e Plazhit. Ndërsa për Durrësin jugor, që është zona e plazhit, ne u shprehëm se është e pamundur sot të flitet për projekte që mundësojnë turizmin elitar, drejt Durrësit verior, që është zona e Kallmit, ne do investojmë për të zhvilluar turizmin elitar. Ndërtimi i Unazës së qytetit do ta çlirojë qendrën historike të Durrësit, që është shumë afër detit, nga trafiku i shumtë, duke e vënë më mirë në shërbim të vetë qytetarëve durrsakë dhe turizmit gjithëvjetor.

Në fjalimin hapës të fushatës keni përmendur ndërtimin e një kampusi universitar. A hyn kjo tek emergjencat e qytetit apo është një premtim për të prekur telat e një pjese të elektoratit?

Jo, jo. Ndërtimi i kampusit të ri universitar në Spitallë është shumë i rëndësishëm për qytetin tonë. Durrësi patjetër që duhet të shndërrohet në një qytet të vërtetë europian, i cili zhvillohet në tërësinë e shtrirjes së tij. Ne do të shmangim përqendrimin e zhvillimit të qytetit vetëm në qendër. Unë e kuptoj thelbin e pyetjes suaj dhe e vërteta është se qyteti ka edhe probleme të tjera, më emergjente. Por ndërtimi i Unazës së madhe, që nis nga rruga e re që do të ndërtohet përgjatë portit në drejtim të Kallmit dhe në Currila ajo rrugë degëzohet kah Kodra e 12 Shkallëve për t’u lidhur me rrugën “Aleksandër Goga”, dhe ndërtimi i kampusit të ri universitar në Spitallë i jep Durrësit trajtën unazore dhe policentrike të zhvillimit. Kampusi i ri universitar do të jetë qendra e dytë e Durrësit. Kjo shtrirje zhvillimi do të nxisë zgjerimin e biznesit, që është mënyra për të zgjidhur punësimin, që me të vërtetë përbën një problem për qytetin.

Në deklaratat apo premtimet tuaja listohen premtime, si: biblioteka, kinema, qendra rinore, guida turistike, kampuse universitare. A nuk duhen përqendruar përpjekjet te emergjencat, te punët e mëdha e të rëndësishme. Bukën para kavjarit...

Platforma ime e punës shtrihet në katër vjet dhe përmban shumë elemente, duke përfshirë edhe ndërtimin e një kinemaje, të një biblioteke, të një qendre rinore etj. Por, kur unë nisa fushatën elektorale, elementet parësore që zbulova nga platforma ime ishin Unaza e qytetit, vënia e qendrës historike në shërbim të turizmit gjithëvjetor, ulja e taksave për biznesin për të vazhduar më tej. Pra, unë prioritetet i kam të qarta, sepse prioritetet i kanë përcaktuar vetë qytetarët. Ulja e taksave vendore deri në masën 50 për qind përgjatë katër viteve të mandatit, duke përfshirë edhe ndërtimin e Unazës që do të zgjerojë shtrirjen e zhvillimit të Durrësit dhe projektet e tjera zhvilluese do të zgjerojnë ekonominë e qytetit, do të shtojë paranë në qarkullimin, do të shtojë investimet, duke sjellë edhe gjenerimin e vendeve të reja të punës. Krahas këtyre, edhe biblioteka dhe pishina e qytetit është e nevojshme, qyteti nuk mund të ketë më të njëjtën bibliotekë që kishte edhe në vitin 1946, kur qyteti kishte më pak se 10 000 banorë, dhe Durrësi i lidhur kaq shumë me detin nuk mund të ekspozohet pa një kompleks pishinash, që qyteti t’i kthehet dinjitetit dhe traditës që ka pasur në sportin e notit.

Si dhe a keni mundur të bëni një ndërthurje të tundimit për të mos zhvilluar një fushatë negativiste, duke qenë se fushata pozitive është edhe kredoja e koalicionit tuaj, por edhe të evidentoni dështimet në qeverisjen e Durrësit të kundërshtarit tuaj socialist?

Që prej ditës së parë, fushata ka qenë e drejtuar kah qytetari, kam takuar banorë të të gjitha lagjeve të qytetit, prej nga ku mësova edhe problemet më të vogla që prekin njerëzit dhe, para pak ditësh, prezantova të plotë platformën për të drejtuar zhvillimin e Durrësit drejt zgjidhjes së problemeve. Në fushatë unë jam përqendruar te shpalosja e alternativës së koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Gara jonë është me qytetin, jo me rivalët. Nga ana tjetër, llogaridhënia është pjesë thelbësore e demokracisë dhe zgjedhjet janë koha kur bëhet edhe bilanci i mandatit që është duke u mbyllur. Besoj se nuk mund t’i shmangemi bërjes së bilancit, nuk mund t’i shmangemi bilancit për mënyrën e keqpërdorimit të fondeve publike, por gjithnjë pa kaluar në konfrontime personale.

Cilat janë disa prej këtyre dështimeve ose premtimeve të pambajtura dhe a mendoni se në fund të mandatit tuaj, në rast fitoreje, lista e premtimeve të pambajtura do të jetë 0?

Nëse flasim për premtimet e pambajtura të rivalit tim, z. Dako, i cili ishte katër vjet në krye të Bashkisë, mendoj se nuk do të mjaftonte e gjithë gazeta. Për të qenë të saktë dhe konkretë, Vangjush Dako vetëm në një çështje ka dëshmuar model suksesi, në zhvillimin e biznesit të betonit të firmës të tij. Vetëm më 2009-n xhiro e firmës së tij të betonit u katërfishua krahasuar me tre vite më parë, duke kërcyer në 12 milionë dollarë dhe këtu fillon dhe mbaron relacioni i Vangjush Dakos me qytetin. Ndërkohë, sa i përket premtimeve të platformës sime, jam treguar i kujdesshëm që çdo gjë të jetë e argumentuar deri në detajin më të vogël, pra që nga fakti nëse është e nevojshme apo jo çdo ndërhyrje në qytet dhe sa do të jetë fondi për zbatim dhe ku do të gjendet ai fond. Unë jam i sigurt se në fund të mandatit do të kemi pse jo edhe projekte të tjera të realizuara, që mund t’i prezantojë dinamika agresive e zhvillimit të qytetit.

Përveç një debati në auditoret e Universitetit të Durrësit, duket sikur ju dhe z. Dako po e shmangni njëri-tjetrin? Pse jo një debat të madh e të hapur në një televizion kombëtar, edhe për faktin se Durrësi është një qytet, le të themi, i përmasave kombëtare?

Të jeni të sigurt për një gjë, unë kurrë, gjatë gjithë angazhimit tim në politikë, nuk i jam shmangur debateve me këdo dhe kudo për çështje të interesit publik. Unë kam marrë disa ftesa për debat me rivalin tim dhe i kam pranuar të gjitha, me përjashtim të një rasti kur axhenda nuk ma lejonte. Unë kam qenë në tre debate televizive, por z. Dako nuk është paraqitur. Unë do të pranoj dhe do të shkoj edhe në debate të tjera, pasi, mendoj, është në detyrimin tim që platforma me të cilën unë prezantohem të përballet me qytetarët. Deri tani z. Dako i është shmangur përballjeve. Mendoj se kemi shumë gjëra për t’u thënë qytetarëve dhe unë kam edhe shumë të tjera për t’i thënë z.Dako.

A ka në vizionin tuaj një Durrës sipas Ferdinad Xhaferrit? Dhe cili është ky Qytet?

Durrësi është qyteti më i vjetër i vendit, me një histori gati 3 000-vjeçare. E shkuara na dëshmon se ku janë burimet e qytetit, të cilat duhet të formësojnë konceptet për projektin drejt të ardhmes. Pikërisht ky element përcakton vizionin tim për këtë qytet. Ne duhet të sigurohemi që Durrësi të vazhdojë të zhvillohet për brezat që vijnë. Vizioni im për Durrësin është ai i një qyteti ku njerëzit jetojnë të sigurt dhe në harmoni me mjedisin përreth. Një ndër detyrat më të vështira që do të kemi pas 8 Majit do të jetë kthimi i besimit të njerëzve te bashkia si institucioni ku ata kanë të drejtë të mësojnë e kontribuojnë sesi do zhvillohet hapësira rreth tyre dhe i gjithë qyteti. Një Durrës që projekton të ardhmen duke fuqizuar transportet, turizmin dhe tregtinë është Durrësi që zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe prodhon siguri dhe punë për të gjithë qytetarët e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›