Berisha: Rruga tjetër është nxjerrë nga veprat e Enver Hoxhës
Shefi i mazhorancës Sali Berisha vijoi dje turin e tij elektoral në qytetin e Burrelit, ku shprehu mbështetjen e tij për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Skënder Lleshi. Duke vlerësuar kandidaturën e Lleshit, Kryeministri Berisha tha para banorëve të qytetit të Burrelit se vlerëson kandidatin Lleshi, njërin nga qeveritarët vendorë më të suksesshëm, njërin nga personalitetet më të vendosura më kompetente të qeverisë vendore të Partisë Demokratike. Kryeministri përshëndeti dhe shprehu nderimin e tij për të gjithë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat matjane, për mbështetjen e jashtëzakonshme që ata i kanë dhënë dhe i japin Partisë Demokratike që nga themelimi i saj. Berisha premtoi para qytetarëve të Burrelit se me Skënder Lleshin, qeveria e tij do të punojë dhe do të realizojë të gjitha projektet për ta bërë Matin një zonë të zhvilluar. Kryeministri garantoi se katër vitet që vijnë qeveria do të asfaltojë çdo rrugë të Matit, nga qendra e Burrelit në kufi me Mirditën, me Tiranën, me Krujën. “Katër vitet që vijnë do të asfaltohen rrugët e mëdha Rrëshen –Klos, Urakë-Klos, do të asfaltohet rruga Selishtë-Macukull-Muhërr, do të asfaltohet rruga Komsia-Qafë-Shtamë, do të hapet tuneli i Qafës së Murrizit dhe do të finalizohet rruga e Arbërit. Katër vitet që vijnë, ne do të ndërtojmë ujësjellësat dhe kanalizimet për 24 orë ujë në çdo fshat, në çdo lagje të këtij vendi”, premtoi Berisha. Rruga tjetër e nxjerrë nga veprat e Enver Hoxhës, shtoi ai, si e vetmja rrugë, është rruga e sharjeve, e shpifjeve, e trillimeve dhe ne le ti lëmë, të vendosim sot shpifjet, trillimet, sharjet, ti lëmë në rrugën e vetmisë. Në orët e darkës, Kryeministri u ndal në një takim elektoral në Kavajë ku prezantoi kandidatin Refik Rugija. “Morali juaj, mbështetja juaj, energjia juaj, janë në vetvete burim i pashtershëm frymëzimi për mua. Në 4 vitet që do të vijnë, do të ndërtojmë Kavajën moderne, Kavajën europiane. Ajo do të shndërrohet në një nga qendrat më të fuqishme ekonomike të vendit dhe ju do ta ngrini këtë qytet në lartësitë më të mëdha të zhvillimit në këtë vend”, tha më tej ai”, theksoi Berisha. Shefi i qeverisë tha se në 4 vitet që vijnë, Kavaja do të jetë një nga prodhuesit kryesorë bujqësorë dhe blegtoralë të Shqipërisë. “Brigjet e Kavajës do të jenë pol kryesor turistik në rajon. Ju jap fjalën se nuk do të ketë as edhe një kilometër rrugë të paasfaltuar në Kavajë. Me 24 orë ujë, të lidhim kontratën e fitores”, shtoi ai. Në vlerësimin e Berishës, hovi i lirisë nuk mund të ndalet dhe ka qenë pikërisht Kavaja, qendër e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, duke premtuar ecje më të shpejtë drejt Evropës. “Alternativa jonë është ajo e njerëzve të dinjitetit dhe shpresës, e besimit të madh tek Zoti, tek njëri-tjetri dhe tek Shqipëria. Ndaj edhe ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohen në alternativën që vë në krye ata dhe besimin e shpresat e tyre”, tha më pas kreu i qeverisë. “Kavaja blu, Durrësi blu, Tirana blu ... fitore!”, përfundoi fjalën e tij kreu i qeverisë në Kavajë.