E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërimet në QV, PS kodi është i paqartë

Gjashtë ditë para zgjedhjeve, partitë politike që kanë të drejtën të kenë anëtarë në Qendrat e Votimit nuk kanë plotësuar detyrimin ligjor për të paraqitur propozimet e tyre për këto vende. Kodi Zgjedhor, në nenin 37 të tij, përcakton se 45 ditë para zgjedhjeve, subjektet zgjedhore që u kanë lindur e drejta për të pasur anëtarë duhet të paraqesin propozimet e tyre. Pavarësisht kësaj dispozite, asnjëra nga këto forca politike nuk e ka marrë shumë seriozisht këtë afat, duke zvarritur procesin deri në këto momente. Por duket se s’kemi të bëjmë thjesht me një strategji elektorale, për të mos ekspozuar ndaj kundërshtarit komisionerët, por edhe me mangësi përsa i përket njohjes së ligjit. Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, ka ngritur shqetësimin për interpretimin e Kodit Zgjedhor në pikën që ka të bëjë me vendbanimin që duhet të kenë komisionerët. “A ka ndërmend KQZ të investohet në një akt të posaçëm, ku të sqarojë subjektet politike, por edhe KZAZ-të, për mënyrën e ngritjes së KQV dhe GNV-ve, a duhet të jenë ata banorë të njësisë vendore apo banorë të KZAZ-së. Gjithashtu, këtu problem mbetet dhe Bashkia e Tiranës, e cila s’ka një KZAZ të sajën. Mundet një banor i njësisë 5 të jetë komisioner në njësinë 9?” tha Gjonçaj. Kjo pyetje ka marrë përgjigjen e vet kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, i cili ka sqaruar se në këtë pikë Kodi është i qartë dhe përcakton se komisionerët e KQV-ve duhet të jenë banues të njësive përkatëse vendore, ndërsa ata të GNV-ve duhet të jenë banorë brenda territorit të ZAZ-së. Megjithatë për këtë çështje është rënë dakord që të dalë dhe një akt i posaçëm i KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›