E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, kapet i shumëkërkuari Reis Haxhiraj

Policia e Vlorës në sajë të operacionit të koduar “Resulaj” ka bërë të mundur arrestimin e një shumë të kërkuari për rrëmbimin e një oficeri policie.

Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar 40-vjeçari Reis Haxhiraj lindur në fshatin Resulaj e banues në Selenicë.
Arrestimi i tij u bë pas informacioneve të marra në rrugë operative mbi zbulimin e vendndodhjes së tij pasi për një kohë të gjatë 40-vjeçari i fshihej drejtësisë.

Gjatë veprimeve për kapjen e tij ai ka kundërshtuar duke hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë, ku nuk ka pasur asnjë punonjës policie të lënduar. Në momentin që po qëllonte është neutralizuar dhe kapur me automatik në dorë nga ana e forcave të policisë.
 

40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 13 vjet burg, për veprën penale "Rrëmbim personi" e kryer kjo në bashkëpunim edhe me shtetasit Artur Rrapaj dhe Zini Hoxha, ky i fundit i arrestuar nga Policia. Të tre këta shtetas në datë 28-06-1998 rreth orës 17:00 në vendin e quajtu "Izvor" të armatosur dhe të maskuar kanë rrëmbyer inspektorin e policisë Yzedin Gucaj si dhe kanë plagosur të vëllain e tij Dhimitër Gucaj. Gjatë kësaj kohe i shumëkërkuari Reis Haxhiraj i fshihej drejtësisë në Greqi.
 

Ndërkohë në cilësinë e provës materiale është sekuestruar, një armë zjarri tip automatik model 56 si dhe një sasi fishekësh.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›