Xhaferraj: Promovimi i veprës, një homazh për Lasgush Poradecin
ashtu si ai e shkroi atë, madje edhe me korrigjimet e tij. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitete të artit dhe kulturës, gjithashtu i pranishëm ishte dhe ministri i TKRS z. Ferdinand Xhaferraj. Në fjalën e tij përshëndetëse ai u shpreh se ndjente një kënaqësi të veçantë, që ndante së bashku me të pranishmit e tjerë mendimet dhe emocionet për këtë figure të shquar, në qytetin e lindjes së poetit tonë të shquar Lasgush Poradecit. Në historinë e letërsisë shqiptare janë të pakët ata autorë që me potencialin e tyre krijues, përvijojnë profilin e kulturës së shkruar shqipe. Në këtë oaz ndriçues, Lasgush Poradeci zë një vend të merituar. Lasgush Poradeci, në krejt veprën e tij poetike modernitetin e konceptoi si riformatim të poezisë së hershme, gati si rishkrim në kontekste të reja të vjershërimit klasik, të poezisë së Matrangës, Budit, Bogdanit, etj. Moderniteti në poezinë e Poradecit është në frymën, në atmosferën që krijon, në mendim dhe mesazhe, por edhe në rigjallërimin e aftësive të shqipes së hershme për të kumtuar dhe kumbuar art, theksoi ministri Xhaferraj. Botimi i veprës së plotë poetike të Lasgush Poradecit, i përbërë nga vëllimet Vallja e Yjeve, Ylli i zemrës, si edhe poemat Ekskursioni teologjik i Sokratit, Mbi ta, Kamadeva, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun, i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është një homazh për personalitetin e tij krijues dhe në mënyrë të veçantë për artin poetik, pasi është shumë e vështirë ta identifikosh Lasgushin pa poezinë dhe anasjelltas, poezia nuk mund të mendohet pa Lasgushin. Arti poetik i Lasgush Poradecit vinte edhe si jehonë dhe reflektim i emrave më të shquar të simbolizimit Evropian si Sharl Bodler dhe Pol Verlen, duke shpalosur forcën shpirtërore dhe një origjinalitet të spikatur të poezisë shqipe në sinkroni me zhvillimet letrare në Evropë. Sot në këtë sallë, më i pranishëm se çdo protagonist i kësaj mbrëmjeje, është vetë ai, Lasgush Poradeci, njeriu që u dënua me heshtje në gjallje të tij, e sot është ai që me trashëgiminë e tij letrare sfidon vdekjen dhe harrimin, cilësoi ndër të tjera ministri Xhaferraj. Në fakt, libri ka filluar që më 2009, një kohë që përkoi me "Vitin e Lasgush Poradecit" në 110- vjetorin e lindjes. Libri u botua nga shtëpia botuese AlbPaper, por libri është së fundmi për publikun dhe në qarkullim, sipas dy botimeve të hershme të Bukureshtit në vitet '30 dhe korrigjimeve që u bëri më vonë autori.