E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri: Trupa e aktorëve të humorit do të ketë sallën e premierave



Shumë shpejt trupa e aktorëve të humorit, skenaristëve dhe regjisorëve do të ketë sallën e premierave për publikun. Kjo sallë mund të jetë salla e vogël e Teatrit Kombëtar. Dje në ambientet e Ministrisë Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ministri Xhaferri organizoi takimin me personalitete të artit lidhur me idenë që kryeministri ka shprehur për kalimin e Teatrit të Estradës nën drejtimin e MTKRS. Në vijim të kësaj iniciative Ministri Xhaferaj pasi bëri një vlerësim të institucionit të estradës në vite si dhe degradimin që ai pësoi në vitet e më pasme u bëri të ditur që tashmë ashtu si dhe cirku, Teatri i Estradës është përfshirë në ligjin për artin si Teatri Kombëtar i Komedisë . Njëkohësisht Ministri propozoi ngritjen e një grupi pune i cili në bashkëpunim me Ministrinë do të punojë për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni si dhe përcaktimin e vendndodhjes se strukturës së tij. Teodor Laco hodhi idenë që salla për aktivitetet e këtij institucioni të jetë salla e vogël e teatrit. Kjo ide u mbështet dhe nga të pranishmit. Bashkim Hoxha ( dramaturg ) në diskutimin e tij vuri për një reformim të thellë të Teatrit Kombëtar. Institucion ky që ndodhet në një udhëkryq ndërmjet të vjetrës dhe të resë. Të njëjtin mendim ndanë dhe personalitetet si regjisor Mihallaq Luharasi, humoristi Bujar Kapexhiu, dramaturgu Ruzhdi Pulaha. Si përfundim u caktua dhe grupi i punës me qëllim përshpejtimin e procedurave për funksionimin e këtij teatri.

Violinisti italian Uto Ughi, vjen në Shqipëri kuadër të Pranverës Italiane
Në kuadër të stinës së madhe të veprimtarive “Italia dhe Shqipëria 2010 – dy popuj, një Det, një Miqësi”, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, sjell sonte një koncert madhështor të M° Uto Ughi, violinist italian me famë botërore, shoqëruar nga e mirënjohura Orkestra Filarmonike e Romës. M° Ughi, i cili ka shfaqur një talent të jashtëzakonshëm që në fëmijërinë e hershme, ka studiuar nën drejtimin e Gorge Enescu-t, mësues i Yehudi Menuhin-it dhe ka nisur turnetë e tij të mëdha europiane duke dhënë shfaqe në kryeqytetet më të rëndësishme. Ka interpretuar në gjithë botën, në Festivalet kryesore me orkestrat sinfonie më në zë. Ka themeluar festivalin “Omaggio a Venezia”, që ka për qëllim mbledhjen e fondeve për restaurimin e monumenteve historike të qytetit lagunor. Pas kësaj eksperience, festivali “Omaggio a Roma” (nga 1999 deri në 2002) ka si qëllim vlerësimin e talenteve të reja të formuara në konservatorët italiane si dhe përhapjen e pasurisë së madhe muzikore ndërkombëtare, me koncerte të organizuara falas për publikun. Prej shumë vitesh mbështetës i Unescos, në korrik të vitit 2009 ka dhënë një koncert, të regjistruar nga RAI UNO, në zemër të Dolomiteve, në një pasuri botërore të mrekullueshme, ku rritet një lloj bredhi i rrallë i përdorur për ndërtimin e violinave si dhe të harqeve me vlerë. Në vitin 1997, Presidenti i Republikës italiane i jep dekoratën Cavaliere di Gran Croce për meritat e tij artistike. Kohët e fundit është emëruar nga Kryeministria President i Komisionit të ngarkuar për studimin e një fushate komunikimi në favor të përhapjes së muzikës klasike pranë publikut të rinjve. Programi i koncertit parashikon muzikë nga Boçherini, Mozart e Paganini.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›