E Diel, 1 Nëntor 2026

“Zëri i artë i Shqipërisë”, Vaçe Zela mbush 71 vjeç



“Zëri i artë i Shqipërisë”, “Ikona e shenjtë e këngës shqiptare”, “Mbretëresha e këngës shqiptare”, “Ylli polar që vërtitet i vetëm në galaktikën e këngës së lehtë Shqiptare”, “Gjigantja e skenës shqiptare”, “Meteori i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë në vitet e zymta të diktaturës”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë e cila dje ka mbushur plot 71 vjeç. Vaçe Zela me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Vaçe Zela, e lindur më 7 prill të vitit 1939, një vajzë nga Lushnja, që u bë artistja e popullit, nuk e kishte menduar se të kënduarit e këngës shqipe do bënte të vetmen shqiptare në listën e 500 personaliteteve me më shumë ndikim në botë, hartuar nga Instituti i Biografive në Amerikë. Në Paris është krahasuar me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina. Poeti Visar Zhiti do ta quante zërin e Vaçes “një pjesë të lirisë së munguar”. Do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë pas kësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në radio dhe më vonë në radio-televizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 (fituesja e festivalit të parë të këngës) e deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Po ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë e pjesë muzikore. Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri-pas tjetrit çmime të shumta. Këngët "Çelu si mimoza", "Djaloshi dhe shiu", "E dua vendin tim", "Ëndrra ime", "Lemza", "Nënave shqiptare", "O diell i ri", "Sot mbusha 20 vjet", "Të lumtur të dua" e shumë të tjera do të mbeteshin në fondin e artë të muzikës shqiptare.
Çmimet e marra ndër vite
Ndërsa çmimet që këngëtarja e madhe ka fituar, janë të panumërt: "Artiste e Merituar" në '73-in, "Artiste e Popullit" në '77-ën, "Mjeshtre e madhe e punës", "Qytetare nderi e Lushnjës". Kinoteatrit të qytetit të saj të lindjes iu vu emri i Vaçe Zelës dhe u ngrit një bust për nder të saj. Presidenti Alfred Moisiu i akordoi titullin "Nderi i Kombit", ndërsa u shpall edhe "Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit”. Çmime të tjera këngëtarja e famshme ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka fituar “Diskun e Artë” nga Amerika, për kontribut në shoqëri në vitin 1997, është zgjedhur gruaja e vitit '97-‘98 në Kembrixh të Anglisë, "Mikrofoni i Artë", nga Ministria e Kulturës e Kosovës, "Çmimi i karrierës" e shumë të tjera. Ndërsa Institutit Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me ndikim. Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin aty. Sot, në moshën 71-vjeçare, ajo kujtohet me nderim nga publiku që ende sot ka vlerësimin maksimal për këngëtaren e madhe. Prej kohësh Vaçe Zela, për shkak të sëmundjes së saj, mungon fizikisht në aktivitetet muzikore. Megjithatë, mbetet "Zëri" i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ndonëse e larguar prej 8 vitesh në Zvicër, e lumturon fakti që njerëzit e kujtojnë, që ata nuk i kanë harruar këngët e bukura të cilat ajo i përcillte nga skena e festivaleve. Vaçe Zela aktualisht jeton me bashkëshortin, Pjetër Rodiqi dhe vajzën, Irma, studente e shkëlqyer e ekonomikut dhe më pas pedagoge në këtë fakultet. Tashmë Irma punon në Institutin e Statistikave në Zvicër. Por rikthimi në Shqipëri mbetet dëshira më e madhe për Vaçe Zelën.

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›