E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaka: Ne kemi gjak shqiptari, por duhet të luajmë kundër Shqipërisë

PRISHTINE-Mesfushori kosovar i Borussia Monchengladbach, Granit Xhaka pas një sezoni mesatar ndodhet në Prishtinë.

Perfaqesuesi kosovar i Zvicrës, sikurse edhe në vitet e kaluara do t’i kalojë disa ditë të pushimi në vendlindjen e tij. 20 vjeçari të martën ishte në stadiumin e Prishtinës, për të hapur kampin “FC Prishtina Junior Camp”.

Mesfushori prishtinas duke folur për mediat kosovare, tha se futbolli kosovar po përparon. “Unë që 5-6 vite vijë këtu dhe e shoh se çdo vit futbolli i Kosovës po bëhet më i mirë. E kam pa ekipin e parë të Prishtinës. Jam duke i pa edhe kampet që ia kanë nis t’i bëjnë këtu dhe futbolli po bëhet gjithnjë e më i mirë. Edhe unë vet kam qenë fëmijë dhe iu dëshirojë të gjithë fëmijëve shëndet dhe shumë fat”, ka thënë Xhaka.

Ai ka folur edhe për eliminatorët për Botërorin “Brazili 2014”, me theks të veçantë për Kombëtaren Shqiptare. Sipas Xhakës, kuqezinjtë kanë një skuadër mjaft të mirë dhe me pak fat mund të arrijnë kualifikimin për në botërorin e ardhshëm.

“Unë kam thënë edhe pas ndeshjes kur ne kemi luajtur kundër Shqipërisë se Shqipëria ka një ekip shumë të mirë dhe një trajner të mirë si De Biasi, një italian që është trajner fantastik dhe ka një ekip të mirë me disa lojtar të rinj. Ne Zvicra, i ikim Shqipërisë më katër pikë, por ishalla edhe Shqipëria do të zë vendin e dytë dhe të shkojë në barazim”, tha Xhaka.

Kujtojmë se në kombëtaren zviceriane luajnë kosovarët: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.

I pyetur nëse pikërisht ndeshja Shqipëri-Zvicër vendos fatin e Shqipërisë për në Botërorin 2014, Xhaka tha: “Ne e kemi punë futbollin. Edhe ne kemi gjak shqiptari, por ne duhet të luajmë kundër Shqipërisë. Ne do të jemi në Shqipëri, do të luajmë atje, por ishalla ne e sigurojmë kualifikimin para se të luajmë kundër Shqipërisë. Ne gjatë ndeshjes 90 minuta do të luajmë kundër Shqipërisë, e pas ndeshjes jemi shokë”.

Xhaka e ka vlerësuar pozitivisht sezonin e tij të parë në klubin gjerman, Borussia Monchengladbach. Ish-mesfushori i Baselit, ka folur edhe për të ardhmen e tij. Xhaka e pranon se ka oferta nga klubet tjera, por ai ka vendosur që të mos largohet nga Borussia Monchengladbach.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Granit Xhaka i thotë 'JO' Lazios

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›