E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka nuk shkon në Olimpiadë

Pas Xherdan Shaqirit, edhe Granit Xhaka ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’, që mbahen këtë verë.

Futbollisti i Baselit së fundmi nënshkroi kontratë me ekipin gjerman Borussia Monchengladbach, prandaj ai e sheh më të arsyeshme t’i bashkohet këtij ekipi gjatë verës sesa të marrë pjesë në Olimpiadë dhe ta humbasë hapin.

“Unë dëshiroj të qëndroj në Gjermani për t’i njohur trajnerët dhe lojtarët. Borussia është më e rëndësishme se Olimpiada”, u shpreh futbollisti kosovar për magazinën zvicerane Blick.

Xhaka, i cili iu bashkua Gladbachut për 8,5 milionë euro, rekord i shpenzimeve të këtij klubi për një lojtar, mezi pret ta nisë eksperiencën gjermane.

“Unë jam një tifoz i Bundesligës, pres ta luaj një rol të rëndësishëm te Gladbachu sezonin e ardhshëm. Mbi të gjitha më gëzon fakti se ky ekip do të luajë në Ligën e Kampionëve”, shtoi Xhaka.

Ai ndihet mirë kur dëgjon se selektori Ottmar Hitzfeld e ka krahasuar me yllin gjerman Bastian Schweinsteiger. Xhaka ishte ftuar në ekipin U-23 të Zvicrës për Olimpiadën e Londrës. Ky eveniment fillon më 25 korrik dhe është një datë mjaft e papërshtatshme për lojtarët.

Vendimi i Xhakës i ka gëzuar drejtuesit e Gladbachut “Lojtari e ka thënë atë që është dashur ta thotë. Kalendari në këtë turne është një dizastër i vërtetë. Ne nuk kemi blerë lojtarë për t’i angazhuar në evenimente tjera”, theksoi menaxheri i klubit gjerman, Max Eberl.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›