Xhamat e errët, nis operacioni pa afat i Policisë Rrugore
Tiranë – Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka filluar një aksion në drejtim të evidentimit, kontrollit dhe ndëshkimit të drejtuesve të mjeteve, të cilët, në kundërshtim me kërkesat e Kodit Rrugor, qarkullojnë duke përdorur sinjalistikën dhe simbole të Policisë së Shtetit. Burime zyrtare thanë dje për agjencinë e lajmeve NOA se për këtë qëllim, strukturat e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, kanë vendosur të organizojnë kontrolle të vazhdueshme për ndjekjen dhe realizimin e detyrave të përcaktuara, duke ndëshkuar ata drejtues mjetesh, në pronësi të qytetarëve apo administratës shtetërore, të cilët qarkullojnë, në kundërshtim me legjislacionin rrugor, të pajisur me simbole të policisë si: sisteme të sinjalizimit pamor (fenerina dhe zanor sirena), duke i mbajtur në vende të dukshme tabela dore apo autorizime në kundërshtim me ligjin. “Në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore dhe të parandalimit të veprimtarisë kriminale kërkohet respektimi dhe zbatimi i kërkesave të legjislacionit rrugor, për të mos mbajtur në përdorim mjete me xhama të riveshur apo të errësuar”, - paralajmëron policia. Aktualisht, nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Rendit, janë ngritur pika kontrolli në Tiranë dhe Kavajë në qytet dhe në linja, ku janë konstatuar 90 drejtues automjetesh, kryesisht drejtues të policive private, të cilët, në kundërshtim me Kodin Rrugor, qarkullojnë me fenelina, xhama të riveshur apo tabela dore policie. Policia tha se ndaj drejtuesve të mjeteve, që qarkullojnë duke përdorur sinjalistikën e Policisë së Shtetit, do të vendoset masa adminitrative gjobë, e cila varion nga 2000 në 5000 lekë deri në pezullimin e lejes së drejtimit. Jo vetëm kaq, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë tha dje se, “për ata drejtues automjetesh, që kundërshtojnë zbatimin e kësaj kërkese ligjore, do të bëhet shoqërimi në komisariat i tyre dhe do të ndiqet procedimi administrativ në bazë të Nenit 190 të Kodit Rrugor të Republikës”.
12 Mars 2009