E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjimi i Paro Laçit: Trukimi i ndeshjes, mjafton të kesh paratë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 21-03-2011 13:55

Tiranë Trukimi i ndeshjeve të futbollit, që diskutohet rëndom thuajse në të gjitha ambientet, rezulton të jetë diçka normale. Të paktën këtë ide ka krijuar hetimi që “Task Forcë” në Prokurorinë e Durrësit ka bërë për presidentin e klubit të Rubikut, Paro Laçi, i arrestuar dy ditë më parë nën akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Burime të rezervuara pranë Prokurorisë së Durrësit thanë se nga hetimet është arritur të provohet tërësisht trukimi i rezultatit të ndeshjes Rubiku-Sukthi, e luajtur në tetor të vitit të shkuar në Sukth. Nga hetimet, Prokuroria ka mundur të evidentojë edhe të paktën dy ndeshje, rezultati i të cilave dyshohet se është trukuar me ndërhyrjen e Paro Laçit. Bëhet fjalë për dy ndeshje të ekipit të Partizanit, të zhvilluara gjatë kohës që Laçi ishte bashkë-aksioner në klubin e futbollit. Për arsye hetimore, Prokuroria nuk jep detaje për këto ndeshje që janë zhvilluar gjatë kohës që ekipi i Partizanit luante në kategorinë e parë. “Nga hetimi kemi mundur të mbledhim informacione të vlefshme që tregojnë se dy ndeshje të zhvilluara nga ekipi i Partizanit kanë përfunduar me rezultat të trukuar. Hetimi i mëtejshëm do të zbardhë detajet dhe skemën që dyshohet se është përdorur në këto raste”- thanë për gazetën MAPO burime pranë Prokurorisë. Sipas tyre, skema e përdorur dyshohet se është e njëjtë me atë të ndeshjes Rubiku-Sukthi, e cila përfundoi me rezultat të barabartë pas korruptimit të gjyqtarit të ndeshjes nga presidenti i klubit të Rubikut, Paro Laçi. Nga përgjimi i telefonit celular të të arrestuarit rezulton se në bisedat e zhvilluara për këtë çështje me persona të tjerë, të përfshirë në skemë, se është mjaft e thjeshtë të ndryshosh rezultatin e një ndeshjeje futbolli. “Nga komunikimet telefonike të të arrestuarve rezulton se është mjaft e thjeshtë të ndryshosh rezultatin e një ndeshjeje. Mjafton të kesh para për të paguar, dhe mund të marrësh rezultatin që kërkon”- thanë burime pranë Prokurorisë. Duke iu referuar ndeshjes për të cilën u arrestua edhe gjyqtari i futbollit, Shkëlqim Balliu, rezulton se presidenti i klubit të Rubikut i ka dhënë 100 mijë lekë gjyqtarit të ndeshjes Sukthi-Rubiku, për të marrë barazimin në fushën e Sukthit. Ky fakt, sipas Prokurorisë, është i provuar me filmime e përgjime mes personave të përfshirë në skemën korruptive, pasi paratë janë paguar prej Paro Laçit, ndërsa gjyqtari ka marrë shumën e të hollave nga një tjetër person. Po ashtu, të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në një skemë mashtrimi, ku i dyshuar është edhe një tjetër person, i arrestuar më parë për mbajtjen e kartëmonedhave 1 milionë dollarshe, të cilat rezultuan se nuk kishin vlerë, duke pushuar kështu çështjen ndaj të ndaluarit. Nga hetimi, Prokuroria ka mundur të provojë se Paro Laçi, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë përfituar një shumë të konsiderueshme parash nga familjarët e një të dënuari nga Gjykata e Shkodrës për akuzën e vrasjes. Duke qenë se gjykata nuk ka pranuar të bëhet pjesë e skemës korruptive, të dyshuarit që kishin marrë paratë i kanë prishur ato, duke hyrë kështu në konflikt me familjarët e të dënuarit për vrasje. Burimet thanë se disa herë Paro Laçi dhe personat e tjerë të përfshirë janë kërcënuar nga familjarët e të dënuarit, të cilët kërkonin kthimin e parave.

Të arrestuarit

Paro Laçi, 42 vjeç, president i ekipit të futbollit të Rubikut

Edmond Temali, 42 vjeç

Agron Arusha, 36 vjeç

Bledar Kume, 25 vjeç

Kozma Kule, 52 vjeç

Shkëlqim Balliu, 45 vjeç, gjyqtar sportiv.

Endri Dimo, 20 vjeç

Altin Xhura, 34 vjeç, biznesmen

Agron Laçi, 34 vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›