E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhamie re në Tiranë Komiteti Mysliman: I pazgjidhur shpronësimi

TIRANE-Një ditë pasi Bashkia shpalli fitues studion daneze “BIG” për të ndërtuar Xhaminë e re në Tiranë, reagon Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH). Në një deklaratë për shtyp KMSH-ja thekson se në projektin për xhaminë e re ka konstatuar mjaft pasiguri, ndërsa ka shtuar se nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që sipas saj nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

“Ne kemi shprehur haptazi paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim ky i cili nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë të cilët janë treguar shumë të ndjeshëm në këtë çështje. KMSH ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga ana e Bashkisë për të sqaruar pasiguritë në funksion të realizimit të plotë të kësaj nisme” thuhet në deklaratë duke shtuar se ende nuk ka marrë një përgjigje dhe shpalljen e projektit fitues e vlerëson si të parakohshme.

Më tej Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se, në përzgjedhjen e projekteve të objekteve të kultit, komunitetet fetare përkatëse duhet të kenë rolin kryesor dhe vendimtar.

“Xhamia e Re në Tiranë mbetet një nevojë e domosdoshme dhe emergjente për besimtarët myslimanë dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreson në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional për realizimin e këtij objektivi” thuhet më tej në deklaratën e KMSH-së.

Një ditë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama garantoi se projekti për ndërtimin e Xhamisë së re në Tiranë parashikon ruajtjen e kulteve fetare si dhe garantoi se asnjë pronar apo pronë nuk do të dëmtohet nga ky projekt.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›