E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Bin Laden, polemika për foton dhe varrimin në det

Vëmendja kryesore e mediave botërore po përqendrohet te varrosja në det e trupit të Osama bin Laden, sipas një njoftimi të dhënë nga zyrtarët amerikanë. Shtetet e Bashkuara deklaruan se varrosja në det u mor në bazë të traditës islamike, por edhe si pasojë e refuzimit për pranimin e kufomës nga Arabia Saudite, apo nga vende të tjera islamike. Sipas mediave të huaja, amerikanët kanë gjetur këtë zgjidhje për kryeterroristin, nga frika se varri i tij mund të kthehej në një vend pelegrinazhi për të gjithë të frymëzuarit nga aktet e Osama bin Laden. Nga ana tjetër, ka ardhur edhe reagimi i muslimanëve. "Kjo lloj varrosjeje është një dhunim i rëndë i Islamit",- thotë Mahmoud Ashour, i Akademisë së Kërkimeve Islamike në Al Azhar, qendra më e madhe kërkimore sunite në Kajro. "Zgjedhja e amerikanëve për të varrosur kufomën e Bin Ladenit në det është në kundërshtim me principet e Islamizmit. Varrosja e të vdekurit në det bëhet vetëm nëse mjeti më të cilin lundron është shumë larg brigjeve dhe kufoma rrezikon të dekompozohet", - shpjegon Abdel Mouti al-Bayoumi, nga grupi i kërkuesve në të njëjtën akademi. Një burrë me pamje të shpërfytyruar, me sy të nxjerrë, mjekër e errët; kjo është fotoja që televizioni pakistanez Geo Tv, rrjeti kryesor në vendin aziatik publikoi, pa theksuar nëse këto ishin imazhet origjinale të kufomës së kryeterroristit, të vrarë mëngjesin e djeshëm nga forcat amerikane. Nuk kaloi shumë që vetë televizioni pranoi se ajo foto ishte e montuar dhe ishte në qarkullim prej vitit 2009. "Kur e publikuam specifikuam se nuk ishim në gjendje që ta vërtetonim nëse ishte origjinale apo jo. Verifikuam që ishte e montuar dhe e tërhoqëm menjëherë", tha Rana Jauad, shefi i zyrës së Islamabadit të televizionit Geo Tv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›