Bin Laden, e kaluara e njeriut që simbolizoi terrorin
Shefi i rrjetit terrorist Al-Kaeda, Osama bin Laden, vdekjen e të cilit e njoftoi gjatë natës të së dielës presidenti amerikan Barack Obama, ishte njeriu më i kërkuar në botë që prej 10 vjetësh, pas sulmeve të 11 shtatorit, për të cilat ai ishte ideatori. Djalë i një familjeje të pasur saudite, Osama bin Laden punoi për një të ardhme si financier islamist dhe luftëtar antisovjetik në Afganistan, para se të radikalizohej për t'u bërë frymëzuesi i një xhihadi botëror antiperëndimor. I lindur në Riad, në vitin 1957, Osama bin Laden studioi për inxhinier xhenio dhe tregti në universitetin prestigjioz King Abdul Aziz të Xhedas, gjatë të cilit ai lidhet që në vitin 1973 me grupe islamike. Miqtë e tij të asaj kohe përshkruajnë një të ri të devotshëm, të rezervuar, tepër i përkushtuar ndaj variantit të ashpër të Islamit sunit në fuqi në vendin e tij. Me bekimin e autoriteteve saudite, ai merr përsipër të organizojë mbështetjen logjistike për muxhahidinët afganë. Ai përshkon gadishullin arabik për të mbledhur fonde dhe vendoset në Peshauar, bazë në Pakistan e gueriljes antisovjetike, ku takon atë që do të bëhet mentori i tij, palestinezi Abdullah Azzam, një nga organizatorët kryesorë të rezistencës antisovjetike. Ai lufton kundër sovjetikëve (edhe pse shumë rrallë me armë në duar) me ndihmën indirekte të CIA-s, që përcjell ndihmat financiare me ndërmjetësimin e shërbimeve sekrete pakistaneze. Pas dështimit sovjetik, në vitin 1989, ai kthehet si hero në vendin e tij, ku shton konferencat në xhami dhe shkolla lidhur me sukseset e xhihadit. Pas sulmit të Kuvajtit nga ushtria irakiane, ai i propozon mbretit Fahd dëbimin e pushtuesve nga gadishulli me ndihmën e legjionit të tij islamik, i përbërë nga ish-luftëtarë në Afganistan. Sovrani saudit refuzon: Më pas Osama bin Ladeni ndihet i tradhtuar, duke vlerësuar se toka e shenjtë e vendit të tij ishte ndotur nga prania e mijëra ushtarëve amerikanë. Në vitin 1992, Riad, i shqetësuar për kritikat e tij dhe nga mbështetja e tij për opozitën i heq pasaportën. Ai vendoset në Sudan, me bekimin e autoriteteve vendase. Shërbimet sekrete amerikane dyshojnë se ai financon kampe stërvitore terroriste. Kombësia e tij saudite iu hoq në vitin 1994, pas publikimit të disa "fatwas" me kritika kundër SHBA-së dhe familjes mbretërore saudite. Bin Ladeni ngre kampe për stërvitjen e terroristëve, duke tërhequr mijëra persona nga bota muslimane dhe planifikon një sërë sulmesh të përgjakshme që e bëjnë atë armikun numër një në SHBA. Atentatet e tij më spektakolare, para atyre të 11 shtatorit 2001, u regjistruan në gusht 1998, kur disa autobomba shpërthyen njëkohësisht në ambasadat amerikane në Tanzani dhe në Kenia (224 të vdekur). Pas sulmeve të 11 shtatorit, SHBA-ja ndërmori një operacion të gjerë për kapjen e shefit të al-Kaedas, ndërsa fillimisht ofroi 25 milionë dollarë më pas 50 për çdo informacion për kapjen e tij. Bin Ladeni, që në fund të vitit 2001 i shpëtoi ndërhyrjes së trupave amerikane në Afganistan, ishte lokalizuar për herë të fundit nga dëshmitarët në Kandahar, në jug të Afganistanit.