Vritet bin Laden, si ra në kurth armiku nr.1 i Amerikës
Presidenti amerikan Barak Obama, në një dalje të posaçme për mediat njoftoi eliminimin fizik të njeriut më të kërkuar të botës, Osama bin Laden. Numri një i Al Kaedes, Osama bin Laden është vrarë nga trupat amerikane në Pakistan. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, e ka dhënë këtë lajm në një fjalim për kombin. "Osama bin Laden u vra. Drejtësia u vu në vend", - deklaroi presidenti amerikan Obama në një fjalim të drejtpërdrejtë për kombin e tij dhe për të gjithë botën. "Këtë mbrëmje jam në gjendje që t'ju njoftoj amerikanëve dhe të gjithë botës se trupat tanë kanë kryer një operacion dhe kanë vrarë Osama bin Laden, liderin e Al Kaedës", -u shpreh Obama. Presidenti deklaroi se muaj më parë ishte informuar për vendndodhjen e saktë të kryeterroristit. "Vetëm një javë më parë kishim informacionet e plota dhe të bindshme për të vepruar. Një grup i vogël agjentësh amerikanë kanë vepruar me kurajë të madhe, duke realizuar me sukses aksionin, duke evituar viktima mes civilëve", - tha Obama. Pas njoftimit për vrasjen e Osama bin Laden, nuk kanë munguar “përshëndetjet” dhe urimet nga të gjithë liderët botërorë, por nuk kanë qëndruar “urtë” as grupet e Xhihadit, të cilët mallkojnë presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Sipas të dhënave të ofruara nga autoritetet amerikane, Bin Laden ka kaluar ditët e fundit të tij në një fortesë 1 milionë dollarëshe. Rezidenca e liderit të Al Kaedës ndodhet në Abbotabad, në veri të Islamabadit në Pakistan. “Kemi mbetur të shokuar nga ajo që pamë, një godinë e jashtëzakonshme dhe e vetme”, - ka shpjeguar për BBC-në funksionari i Shtëpisë së Bardhë. Sipas tij, struktura e ndërtesës kishte një vlerë afërsisht 1 milion dollarëshe, por nuk kishte lidhje telefonike apo interneti. Ndërtesa trekatëshe, me dritare të vogla dhe tarraca në katin e tretë kishte një mur mbrojtës të gjatë 2 metra”. Mësohet se dje, qeveria amerikane ka shpallur gjendjen e alarmit në të gjitha ambasadat e saj dhe përfaqësitë diplomatike nëpër botë. Frika për hakmarrje nga mbështetësit e kryeterroristit të Al Kaedës, Osama bin Laden, është e madhe. Në një komunikatë të Departamentit të Shtetit theksohet se të gjithë qytetarët amerikanë, kryesisht ata që jetojnë në zonat me tension të lartë, të evitojnë vendet e mbushura me manifestues. Kërkohet po ashtu që të evitohet përballja me mbështetës të Al Kaedës. Pentagoni ka deklaruar se një nga gratë e Bin Laden e ka identifikuar atë me emër. Ndërkohë, dy nga gratë e tij dhe katër fëmijët, janë arrestuar pas aksionit të njësitit special amerikan. Bin Laden njihej për faktin se kishte shumë gra. Por mediat tani ngrenë dyshimet se një nga gratë e Bin Laden e ka tradhtuar atë. Gazeta gjermane “Bild” pyet sesi ka mundësi që ushtarët specialë e identifikuan aq shpejt Osama bin Laden. “Pak përpara vrasjes, një grua e tij e identifikoi”, - shkruan “Bild”. Po ashtu është bërë e ditur se Bin Laden është qëlluar me plumb në syrin e majtë. Televizionet amerikane kanë raportuar se Shërbimi Sekret Amerikan, CIA e ka ndjekur live operacionin e njësitit amerikan me rreth 25 ushtarë elite në ekranet e zyrave qendrore në Langley Virginia. Fillimisht i ishte kërkuar të dorëzohej, por Osama nuk pranoi. CNN thotë se Osama është qëlluar me një plumb në kokë. Zyrtarët e CIA-s kanë duartrokitur pas kësaj skene. Përgatiti: Habjon Hasani